Lidhje

Kurti: Jablanoviçi dhe Trepça- pika neuralgjike për Kosovën


Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i tha Zërit të Amerikës se ministri Aleksandër Jablanoviç paraqet një koncept serbomadh ndërsa Trepça një shans për zhvillim të Kosovës

Në Kosovë, qeveria dhe opozita po këmbejnë kritika pas protestave të së martës që u përfshinë nga dhuna, e cila la pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale. Qeveria thotë se ato ishin përpjekje për të marrë pushtetin me dhunë, ndërsa opozita mohon një gjë të tillë duke theksuar se synimi i tyre ishte në fakt forcimi i shtetit. Autoritetet ndërkombëtare po bëjnë thirrje për dialog politik dhe shmangie të veprimeve të dhunshme në protestat e paralajmëruara për javën që vjen me kërkesat për shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës dhe sqarimin e fatit të kompleksit të minierave Trepça.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se këto dy çështje këto janë dy pika neuralgjike: ministri Aleksandër Jablanoviç si koncept serbomadh dhe në anën tjetër Trepça, si shans për zhvillim të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai thotë se synim i Serbisë nuk është okupimi i Kosovës, por bosnjëzimi i saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, protestat e organizuara prej jush dhe rrjedha e tyre kanë rritur tensionet në Kosovë. Si mund të shtendoset kjo gjendje?

Albin Kurti: Ka tri javë që kanë filluar protestat në Kosovë. Fillimisht me kërkesën për shkarkimin e Jablanoviçit nga qeveria e Kosovës dhe më pas edhe me mbrojtjen e Trepçës, nëpërmjet një ligji të veçantë që e bën Trepçën ndërmarrje publike të veçantë. Dhe këto protesta kulmuan në ato dy të fundit në Prishtinë, e para më 24 janar, të shtunën që shkoi, ndërkaq tjetra të martën më 27 janar. Në protestën e fundit kishte një intervenim brutal e mizor të policisë, me ç’rast ata na trajtuan neve ashtu siç ishte deklarata e Jablanoviçit, pra si egërsira. Fillimisht na i vendosën barrierat metalike në sheshin Skënderbeu, duke mos na lejuar që të kemi lirinë e qarkullimit dhe grumbullimit paqësor dhe më pas në rrugët e Prishtinës kanë gjuajtur me pushkë të gjata, me plumba gome, me ç’rast ka pasoja prej kalimtarëve të rastit me këmbë të thyer e deri te një protestues 29 vjeçar, të cilit nuk dihet nëse do t’i shpëtojë syri, për shkak se është goditur me plumb gome në sy. Kjo ka qenë për neve e papritur, sepse nuk kemi menduar që kaq gjatë dhe kaq shumë do ta mbrojnë Jablanoviçin i cili na e mohon historinë dhe na e nëpërkëmbë dinjitetin nga pozicioni i ministrit të qeverisë së Republikës.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Kurti në dhunën që shpërtheu posaçërisht të martën, numri më i madh i të lënduarve ishte nga radhët e policisë?

Albin Kurti: Policia rregullisht e rritë numrin e të lënduarve të saj dhe nuk ka mundësi të bëjmë kurrfarë barazimi këtu, meqenëse policia kishte pajisje të shumta dhe ishte e armatosur deri në dhëmbë, ndërkohë që përballë saj ndodheshin rinia kosovare përgjithësisht, kishte edhe të moshuar, por kryesisht ishin rini që ishin tërësisht të paarmatosur. Madje edhe gurët që u hodhën mbi policinë pas intervenimit të policisë me gaz lotsjellës dhe me shufra gome e me autoblinda, edhe ata gurë, ishin gurë që gjendeshin aty. D.m.th. merrnin gurët që tashmë ishin në rrugë. Nuk kishte askush që kishte ardhur atë ditë në protestë më gurë. Por, unë nuk mendoj që duhet ta problematizojmë reagimin qytetar të 27 janarit, por duhet ta problematizojmë faktin që prania e ministrit të Listës serbe, Jablanoviç në qeverinë e Kosovës, është dhunë e përditshme, edhe më 27 janar edhe secilën ditë para 27 janarit dhe secilën ditë pas 27 janarit. Është dhunë mbi nënat gjakovare, është dhunë mbi historinë tonë kombëtare dhe është dhunë mbi institucionet e Republikës.

Zëri i Amerikës: Për shumë kë ministri Jablanovic dhe Trepça ishin vetëm njëfarë “casus belli”, njëfarë preteksti për protestat. Pse është kaq me rëndësi ministri Jablanoviç?

Albin Kurti: Ne kemi pasur ministra serb edhe në qeveritë e mëhershme. E kemi pasur Nenad Rashiçin, ministër të punës dhe mirëqenies sociale, mirëpo ai asnjëherë nuk ka thënë që në Kosovë Serbia nuk ka bërë krime, nuk ka kryer masakra. Ai asnjëherë nuk i ka quajtur shqiptarët egërsira. Përkundrazi, e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe ka dashur gjithmonë dhe me gjithë mend të kontribuojë në integrimin e serbëve në institucionet kosovare edhe në shoqërinë kosovare. Jablanoviçi është diçka tjetër. Ne nuk kemi problem me Jablanoviçin pse është serb. Ne nuk kemi fare problem me serbët civil. Problemi me Jablanoviçin është sepse deklarata e tij, përveç se është e palejueshme, në të njëjtën kohë, ajo është shprehje e Serbisë brenda Kosovës. Pra misioni i kreut të Listës serbe, qartazi është që me deklarata të llojit të Milosheviçit e Sheshelit, ta dobësojë edhe Kosovën për nga funksionimi përbrenda edhe karshi Serbisë. Prandaj, unë besoj që tash është momenti që Jablanoviçit t’i tregohet vendi. E vendi i tij duhet të jetë jashtë qeverisë së Republikës. Pra, nuk duhet shtyrë kjo punë më vonë. Jablanovici është mbiemri i përveçëm i një ministri, por në të njëjtën kohë edhe emri i një koncepti të përgjithshëm serbomadh në Kosovë. Pra, nuk është Jablanoviçi vetëm një person i veçantë, një person i posaçëm, por në të njëjtën kohë ai është shumë më tepër se kaq. Është vet Serbia brenda Kosovës e cila po tenton të na bosnjëzojë.

Zëri i Amerikës: Në kohën kur ju ishit pjesë e bllokut politik bashkë me LDK-në AAK-në dhe Nismën për Kosovën, e dinit që nëse krijoni qeverinë këtë do ta bëni edhe me Listën serbe, Ku është problemi tani me këtë listë?

Albin Kurti: Në muajin korrik të vitit 2014, Jablanoviçi pat deklaruar qe ai nuk ka problem me Vetëvendosjen, por Vetëvendosja ka me Serbinë. Pak ditë pas kësaj deklarate e thirrën në Beograd komplet Listën serbe dhe që prej atëherë ata filluan të thonë që ata nuk hyjnë në qeverinë e Republikës nëse është Vetëvendosje aty. Dhe filluan ta luftojnë Vetëvendosjen sikurse dikur UÇK-në. Me të njëjtin fjalor dhe me të njëjtin diskurs në përgjithësi. Tash Jablanoviçi e tha këtë deklaratë nga pozita e ministrit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Nuk e tha nga pozita e deputetit. Kur u bë ministër e tha kësisoj, prandaj kjo është e patolerueshme. Dhe Lista serbe është formuar nga marrëveshja (Hashim) Thaçi – (Ivica) Daçiç e Brukselit, me ç’rast, Daçiçi na e pat caktuar edhe datën e zgjedhjeve lokale të fundit, 3 nëntorin e vitit 2013. Pra, Lista serbe është njëlloj formacioni që doli nga marrëveshja Thaçi – Daçiç, e cila në njërën anë e sajoi këtë formacion dhe në anën tjetër do të orvaten që ta sajojnë edhe asociacionin e komunave me shumicë serbe si një lloj entiteti i veçantë brenda Kosovës. Çështja është se nuk kishim iluzione për listën serbe. Mirëpo, ne në të njëjtën kohë kemi mundur që ta kemi sërish Nenad Rashiçin sërish ministër e jo Jablanoviçin. Sidomos, jo një ministër serb i cili na quan egërsira dhe të njëjtën kohë mohon masakrat e Serbisë. Unë kurrë nuk e kam takuar Jablanoviçin. Sa kemi bashkëpunuar me bllokun opozitar, unë nuk e kam takuar asnjëherë Jablanoviçin. Nuk e di të tjerët kush sa herë e ka takuar, por e di që e kanë takuar. Unë nuk e kam takuar asnjëherë. Unë e kam takuar në një takim të përbashkët me Mustafën edhe Haradinajn dhe Nenad Rashiçin, i cili e mbaj mend shumë mirë, pat thënë që mua më pëlqen ideja e Vetëvendosjes, dialog me serbët e Kosovës për zhvillim. Pra ai vet pat thënë kësisoj. Pra, nuk i fus unë të gjithë serbët në një thes, ashtu qysh nuk i fus as të gjithë shqiptarët në një thes. Ju po e shihni që disa prej kundërshtarëve të Vetëvendosjes dhe njerëzit që më së shumti hedhin gurë e dru ndaj meje, janë pikërisht shqiptarë.

Zëri i Amerikës: A nuk po humbet shumë energji në çështjen Jablanoviç, që fundi i fundit me deklarata e tij do t’i kushtonte më shumë qeverisë sesa juve?

Albin Kurti: Veçse ka disa themele të popullit dhe të institucioneve që janë të padiskutueshme. Nuk mundet dikush të na thotë neve tash që këtu s’paska pasur masakra. Sepse ai po e përgatitë shtegun për ta kthyer Serbinë në Kosovë me këto deklarime. Ne e dimë që edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, një ndër argumentet kryesore, në fakt kryesori që është përdorur prej të gjithë atyre që morën anën e Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë, ishte pikërisht krimet e Serbisë. Dhe tash ky vjen edhe godet aty.

Zëri i Amerikës: Por, ky nuk mund ta ndryshojë historinë zoti Kurti. Mendoj që është deklaratë shumë e fortë që ai po e kthen Serbinë në Kosovë?

Albin Kurti: Jo, ai po e hap shtegun për një synim të Serbisë, e cila nuk do tash ta okupojë krejt Kosovën, por ta bosnjëzojë atë. Nuk po them që qëllimi është që Serbia ta okupojë krejt Kosovën. Serbia dëshiron që ta bosnjëzojë Kosovën me një entitet të veçantë, ku thuhet, krime ka pasur nga të dyja palët në fund të fundit. Por, para se të thuhet se krime ka pasur nga të dyja palët, së pari sulmohen krimet e Serbisë në Kosovë, duke tentuar së paku të minimizohen ato. Natyrisht që ne të gjithë e dimë që ka pasur krime të Serbisë në Kosovë dhe natyrisht që Jablanoviçi nuk ja ndryshon askujt mendjen me deklaratën e tij. Por, kjo është asfaltim për synimet hegjemoniste të Serbisë. Besoj që të gjithë qytetarët e kanë parë që mos shkarkimi i Jablanoviçit nga Mustafa, është papërgjegjësi e jashtëzakonshme e Mustafës, meqenëse kryeministri nuk është përgjegjës vetëm kur vepron, por edhe atëherë kur nuk vepron e do të duhej. Unë nuk e kuptoj bash tërësisht, si bëhet që Mustafa e merr ne mbrojtje Jablanoviçin, si bëhet që ai e minimizon deklaratën e Jablanoviçit dhe në të njëjtën kohë, si bëhet që Mustafa nuk e kupton që duke e mbrojtur Jablanoviçin, u jep leje Jablanoviçëve që ta përsërisin atë deklaratë. Me vet faktin që ti nuk reagon ndaj një deklarate të tillë, përmes shkarkimit si kryeministër, kjo shndërrohet në leje për deklarata të tilla në të ardhmen. Prandaj, ky është momenti kur duhet ndalur njerëzit e tillë.

Zëri i Amerikës: Hipotetikisht ta zëmë që qeveria shkarkon Jablanoviçin dhe kësisoj nxit reagimin e Listës serbe e cila mund të tërhiqet nga qeveria dhe ta çojë vendin në një situatë kur ai do të detyrohej të shkojë në zgjedhje të reja. Kush mendoni se do të fitonte zgjedhjet? Çfarë nëse do të kishte sërish një situatë të njëjtë politike?

Albin Kurti: Besoj që ka gjëra për popullin, shoqërinë, kombin, shtetin tonë më të rëndësishme sesa mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nuk po të mbetet Republika as në letër nëse tolerohet deklarata e Jablanoviçit dhe vazhdon të sulmohet Trepça. Pra, këto janë dy pika neuralgjike: Jablanoviçi si koncept serbomadh dhe në anën tjetër, Trepça, jo vetëm si krenari e popullit tonë, por edhe si shans për zhvillim në të ardhmen. Këto janë tejet më të rëndësishme se çfarëdo zgjedhjesh për të cilat unë tash as nuk dua të flas as të mendoj.

Zëri i Amerikës: A po synoni në njëfarë mënyre, siç ka thënë edhe qeveria, që ta merrni pushtetin nëpërmjet rrugës që sigurisht do të nënkuptonte rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja?

Albin Kurti: Ata nuk janë në gjendje të mendojnë më shumë dhe përtej pushtetit të tyre, andaj edhe tash po e mbajnë pushtetin me dhunë dhe duke e mbajtur pushtetin me dhunë, dëshirojnë që të na fajësojnë neve se po duam t’ua marrim atë. Askush nuk po dëshiron t’ua marr pushtetin. Ne po duam që të mos lejojmë që ministër në qeverinë e Republikës së Kosovës edhe më tutje të jetë Jablanoviçi dhe që të na e kthejnë ligjin për Trepçën që e bën Trepçën ndërmarrje publike, sepse pa Trepçën ne nuk e kemi shansin për zhvillim industrial të ekonomisë dhe vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Por qeveria thotë se tashmë e shpëtoi Trepçën nga falimentimi me ligjin për ndërmarrjet dhe pasuritë e tyre dhe tash duhet ligj i veçantë por i cili kërkon kohë?

Albin Kurti: Këta e sollën ne seancën e 19 janarit një projektligj, mirëpo e tërhoqën për shkak të diktatit të (Aleksandër) Vuçiçit. Ishte Vuçiçi i cili menjëherë deklaroi kundër projektligjit të tillë i cili bëri që Mustafa në seancë të jashtëzakonshme, që e thirri vet si kryeministër, sepse ka të drejtë në bazë të rregullores së punës së kuvendit, ta tërheqë atë dhe ta sjellë një tjetër që sjell një lloj moratoriumi 18 muajsh, që nuk është zgjidhje, sepse asetet e Trepçës, vazhdojnë që të rrënohen...

Zëri i Amërikës: Por a nuk krijon hapësirë për zgjidhje zoti Kurti?

Albin Kurti: Po, pse jo ai ligji i parë menjëherë?. Trepça ka nevojë urgjente për t’u zhvilluar. Këta nuk shpëtojnë asgjë. Ne mendojmë që duhet t’i shpëtojmë qytetarët prej kësaj qeverie e cila nuk e shkarkon Jablanoviçin dhe vazhdon ta mbajë Trepçën të pazhvilluar. Tash, ju e dini që kryeministri Mustafa ka thirrur disa seanca të jashtëzakonshme të kuvendit. Mirëpo, në javën kur kemi pasur dy protesta shumë të fuqishme, me 24 janar dhe me 27 janar, nuk thirrën seancë kuvendi. Në njërën anë thonë që dialogu duhet të jetë në kuvend, e në anën tjetër ata komunikojnë me neve përmes dhunës policore.

Zëri i Amerikës: Por, ju e nxorët debatin në rrugë, sipas qeverisë, zoti Kurti?

Albin Kurti: Po, kryeministri Mustafa ka mundur të thërras seancë të jashtëzakonshme pas protestës masive të 24 janarit. Të hënën më 26 janar, para protestës së 27 janarit, kemi mundur të kemi seancë kuvendi. Pse nuk e thirri? Jo, sepse ai po dëshiron që me neve të komunikojë përmes dhunës policore.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se dëshironi ta shpëtoni qytetarin nga kjo qeveri. Si?

Albin Kurti: Shikoni. Me këto protesta paqësore, ne rrugët e Prishtinës po i shndërrojmë në sheshe, për shkak se sheshi është bërë rruga në të cilën e mbrojmë edhe Republikën, edhe historinë edhe dinjitetin edhe Trepçën edhe qytetarin e republikës i cili është në shesh tashmë. Pra, kur institucionet e mbajnë dhe e mbrojnë deklaratën fashiste, raciste të përfaqësuesit të Serbisë kundër shqiptarëve, natyrisht që ato institucione bëhen të pamjaftueshme. Dhe po e them edhe njëherë, në javën që shkoi nuk thirrën seancë të jashtëzakonshme, ndërkohë që kryeministri ka mundur ta bëjë këtë. Ndërkaq ne si opozitë nuk i mbledhim dot 40 nënshkrime, meqenëse Vetëvendosje edhe kur t’i bashkohen deputetët e AAK-së dhe Nismës, i ka 33 deputetë.

Zëri i Amerikës: Moratoriumi që u vendos mbi Trepçën nuk e ndryshon gjendjen e saj që është tash e 16 vjet e njëjta. Pra Trepça nuk doli sot. Pse pikërisht tash është shndërruar në pretekst?

Albin Kurti: Besoj se kjo vjen për shkak se Serbia dëshiron ta hapë si temë në bisedimet e Brukselit. Dhe ky është momenti që në aspektin legal juridik, ta vulosim Trepçën si ndërmarrje publike të Republikës së Kosovës dhe ta lidhim me Kuvendin e Republikës me një shumicë prej 80 votash për çfarëdo ndryshimi të saj. Trepça ka nevojë që t’i shtohet vlera përmes investimeve. Në bazë të ekspertëve të Vetëvendosjes, nëse investohen në Trepçë, është një kalkulim i gjatë, 177 milion euro, atëherë nga eksporti i metaleve të përpunuara dhe gjysmë të përpunuara qysh në vitin e parë do të mund të merrnim 450 milion euro, sipas çmimeve të tregut botëror që janë sot. Është absurde që ne të flasim për borxhet e Trepçës në kohën kur nuk kemi marrë pjesë në sukcesionin e ish Jugosllavisë, kur plani i (Martti) Ahtisaarit na ven pjesë të borxhit të jashtëm të Serbisë, që është e padrejtë dhe kur Serbia nuk na i ka paguar dëmet e luftës. Ndërkohë që janë këto tri padrejtësi, të flitet për borxhet e Trepçës, është e padrejtë. Dhe mos harroni që vlera e Trepçës është shumëfish më e lartë se çfarëdo borxhi i pretenduar, me ç’rast shumica e atyre pretendimeve në fakt janë false. Siç e ka thënë edhe eksperti i Vetëvendosjes, Nazmi Mikullovci, ne nuk kemi pse t’i frikohemi gjykatave dhe ligjit, sepse me to do të fitojmë duke dëshmuar që Trepça është e jona.

Zëri i Amerikës: Çështja e dëmeve të luftës, e trashëgimisë së ish Jugosllavisë janë çështje që duhet të diskutohen në një tryezë bisedimesh dhe kjo pritet të ndodhë pikërisht në bisedimet që aktualisht zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së, që ju vazhdoni t’i kundërshtoni. Përse zoti Kurti?

Albin Kurti: Dialogu i deritashëm që është zhvilluar me Serbinë ka qenë pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës. Rrjedhimisht rezultati nuk ka mundur të jetë i drejtë. Ne nuk jemi kundër dialogut si të tillë, por jemi kundër këtij dialogu i cili e bën Kosovën temë e Serbinë përcaktuese të agjendës. Serbia duhet të plotësojë një mori kushtesh para se të kualifikohet për të dialoguar me neve. Dhe ne pa e konfirmuar kësisoj subjektivitetin politik dhe sovranitetin shtetëror, besoni Serbia do të bëhet gjithnjë e më e keqe dhe situata në Kosovë gjithnjë e më e rënduar.

Zëri i Amerikës: Për javën e ardhshme keni paralajmëruar sërish protestë. A jeni të gatshëm të punoni për të shmangur dhunën dhe të distancoheni prej saj, sepse jeni kritikuar që nuk po e bëni këtë?

Albin Kurti: Ne kërkojmë që policia të mos vendosë barriera metalike në sheshin Skënderbe. Ne e dimë që qeveria e ka ndarë veten nga Skënderbeu nëpërmjet grilave. Nuk ka nevojë që të na vendosë barriera metalike të na ndajë edhe neve nga Skënderbeu dhe ta gjymtojë sheshin. Sheshi është i qytetarëve. Tash, ka sheshe pa republikës, por nuk ka republike pa shesh. Dhe atë ditë më 4 shkurt, të mërkurën e ardhshme pra, në do të grumbullohemi tek përmendorja e Zahir Pajazitit në ora 12 dhe do të marshojmë drejt sheshit Skënderbe, me ç’rast do të kemi kujdestarët tanë që do të kujdesen që protesta të jetë tërësisht paqësore. Mirëpo, shpresojmë që policia nuk do t’i sjellë ato barriera metalike dhe nuk ta sjell atë armatim në shesh, të cilin qartazi më 27 janar nuk e solli për ta ekspozuar, por për ta përdorur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG