Lidhje

Shala: Çështja e veriut të zgjidhet deri në qershor 2013


Bashkërenduesi i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Blerim Shala thotë se veriu i Kosovës nuk do të ketë ndonjë trajtim të veçantë.

Bashkërenduesi i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Blerim Shala tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se veriu i Kosovës nuk do të ketë trajtim të veçantë dhe çështja duhet të zgjidhet deri në qershor të vitit të ardhshëm në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Shala që është nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se nuk duhet ngatërruar mbështetjen që kjo parti u jep proceseve politike me debatet rreth mundësisë së bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës.



Zëri i Amerikës: Zoti Shala, si e vlerësoni ju rrjedhën e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit?

Blerim Shala: Siç e dini, janë shtatë marrëveshje që janë arritur në harkun kohor prej marsit 2011 deri në verën e vitti 2012. Mund të supozoni që marrëveshja më problematike për zbatim është IBM apo marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, që është një marrëveshje shumë e saktë, shumë e qartë për ne, me siguri edhe për zyrën e zonjës (Catherine) Ashton. IBM nënkupton që Kosova dhe Serbia të kenë një qasje të përbashkët në pikat kufitare, ndërsa regjimi kufitar është i njëjtë nëpër gjithë Kosovën. Kemi të bëjmë me një koncept i cili qe përkrahur fuqimisht madje edhe prej UNMIK-it, OKB-së dhe të gjitha instancave ndërkombëtare që Kosova është një zonë unike doganore. Prandaj, në të gjitha pikat doganore do të ketë inkasim të TVSH-së, sepse akoma shumëkush prej nesh po harrojmë që me marrëveshjen e CEFTA-s, shtetet në rajon janë të liruar prej taksës doganore. Ndërsa, inkasimi i TVSH-së, i taksave në kuadër të pikave kufitare, sic e dini, bëhet nëpër terminale, nuk bëhet në pikat konkrete kufitare, megjithëse kjo çështje do të diskutohet në detaje në fillim të janarit, me 10 janar, ashtu që më 17 janar t’i vihet vulë kësaj çështjeje dhe të hyhet në fazën tepër të rëndësishme të krijimit të transparencës së plotë sa i përket përkrahjes financiare që Serbia ua bënë serbëve të Kosovës, e që parimisht është në kuadër të pakos së presidentit (Martti) Ahtisaari

Zëri i Amerikës: Në këtë kuadër kryeministri serb ka kërkuar që taksat doganore të mos paguhen në veri derisa të gjendet zgjidhja për shpërndarjen e tyre. Cila mund të jetë kjo zgjidhje?

Blerim Shala: Së pari, këto janë dy çështje të ndara. Ju nuk mund të thoni, nuk do të zbatojë IBM-në derisa nuk merret vesh se si do të bëhet shpërndarja e këtyre mjeteve. Së dyti, kjo pyetje nga kryeministri serb tregon se ai është i vetëdijshëm që do të ketë inkasim të mjeteve në ato portat kufitare 1 dhe 31. Së treti, në e kemi një procedurë shumë të qartë të modifikuar me marrëveshjen e presidentit Ahtisaari, mjetet nga doganat kudoqoftë vijnë në arkën e shtetit dhe prej andej bëhet një shpërndarje adekuate sipas numrit të banorëve të çdo pjese të Kosovës. Në rastin e veriut në përgjithësi, për shkak të rrethanave shumë të njohura, sepse aty nuk ka pasur dhe nuk ka rend e ligj e deri sot e kësaj dite, kemi mundësi që të krijojmë një fond të veçantë zhvillimor, për të cilin është folur edhe vite më parë. Dhe ky fond zhvillimor nuk do të përfshijë vetëm serbët, as nuk do të përfshijë vetëm Mitrovicën veriore, por do të përfshije krejt veriun e Kosovës, duke filluar prej Vushtrrisë e lart, sepse objektivisht kemi një dëmtim serioz ekonomik, politik, social të kësaj pjese të Kosovës, për shkak të zhvillimeve të njohura që nga viti 99 e këndej. Por, ne vendosim si Kosovë, si shtet sovran se çka do te bëjmë, normalisht, së paku me miqtë tanë ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Më 17 janar pritet vazhdimi i pjesës tjetër të bisedimeve, takimi i radhës i kryeministrave dhe duket se veriu i Kosovës do te jetë tema themelore. Si prisni të zhvillohen këto bisedime?

Blerim Shala: Mendoj që edhe më herët e kam thënë se assesi, kurrë, veriu i Kosovës nuk do të jetë temë e trajtimit politik. Integriteti territorial i Kosovës, nuk është çështje e diskutimit politik me këdo qoftë. Por, objektivisht ne kemi problemin e integrimit të banorëve lokal, qytetarëve serbë të veriut në sistemin juridik kushtetues të Kosovës, për dallim, për fatin tonë prej pjesët tjetër të serbëve të Kosovës. Pikë për të cilën nuk ka debat, nuk ka diskutim është shpërbërja e strukturave ilegale të sigurisë të Serbisë në veri. Prej vitit të kaluar, Komisioni Evropian, të gjitha shtetet kryesore perëndimore, Bashkimi Evropian, mbi të gjitha Gjermania e kanë vënë si kusht të padiskutueshëm që strukturat ilegale të Serbisë në veri, duhet të shpërbëhen. Nuk ka temë a do të shpërbëhen a jo. Mund te jetë temë afati kohor, se çfarë do të ndodhë pas largimit të tyre, sepse krijohet një vakuum i sigurisë dhe ju duhet të zëvendësoni. Ky është një parim normal gjithkund. Duhet t’i zëvendësoni strukturat e mëparshme të sigurisë që kanë qenë ilegale, që kanë bërë dëm të madh në Kosovës, duhet thënë hapur, me strukturat kosovare të sigurisë, me policinë e Kosovës, me agjencinë e inteligjencës, nesër edhe me FSK-në. Kjo është temë e diskutimit, por assesi fati i atyre strukturave. Ndërsa nga ana jonë, kërkohet që të bëjmë ofertën se si do të trajtohen qytetarët serbë në veri të Kosovës. Normalisht, është bindja jonë e fuqishme se kjo është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme në pakon e presidentit Ahtisaari. Dikush mund të thotë që ne duhet të marrim parasysh specificitetin e veriut e Kosovës. Ne e kemi bërë këtë në pakon e Ahtisaarit. Nëse e lexojmë sot atë do të shohim që pikërisht këtë e kemi bërë kur kemi lejuar asociacionin e komunave, lidhjet horizontale e vertikale, mundësinë e krijimit të këshillit kombëtar dhe shumë çështje tjera si mundësinë e favoreve sa i përket arsimit dhe shëndetësisë, krijimit të universitetit, se ekziston universiteti publik në Mitrovicë, spitalet. Janë një mori të drejtash që janë akomoduar në kuadër të pakos së Ahtisaarit.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, në anën tjetër kemi platformën e re të Beogradit për bisedimet me Kosovën, ku, nga ajo që është thënë deri tash është përvijuar kërkesa për një entitet të veçantë në veri, diçka e ngjashme Republikën serbe. Si mund te ndikoje kjo në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve?

Blerim Shala: Për ne nuk është befasi e madhe. Nuk kemi pritur që Beogradi do të dalë me ndonjë ofertë më të moderuar, megjithëse kryeministri serb (Ivica) Daçiç, ka dhënë disa deklarata inkurajuese, sepse ai disa herë ka përsëritur që Kosova është humbur në luftën e vitit 99 e këndej. Kemi të bëjmë me një dokument që disi është kombinim apo sintezë e gjithë atyre propozimeve që tashmë kanë kaluar nëpër duart tona. Prej propozimit të kryetarit serb (Slobodan) Milosheviç në Rambouillet, pastaj ishte njëfarë platforme e Kuvendit të Serbisë në vitin 2004, kanë qenë pozicionet e delegacionit të Serbisë në bisedimet e Vjenës dhe me ne fund katër pikshi i presidentit serb, Boris Tadiç. Dhe kemi nje dyzim të gjithë këtyre pikave me qëllim që të hapin një çështje që jo vetëm për ne, por edhe për fatin tonë të mirë edhe për perëndimin është e mbyllur, tema e statusit të Kosovës. Kjo është çështje e kryer. Edhe nëse e shihni agjendën e zonjës Ashton në bisedimet e Brukselit, nuk ka gjë fjalë për statusin e Kosovës. Ajo ka nisur një dialog që synon krijimin e rrethanave për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, për mbylljen e çështjes së veriut dhe në këtë mënyrë hapjes së perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë, duke mos e penguar njëra tjetrën. Të kthehem tek pyetja juaj. Serbia do të provojë maksimalisht të tensionojë situatën me këtë propozim, ta zhvendosë drejtimin e procesit të krijuar nga zonja Ashton, gjë që do të ishte një sfidë shume e madhe për të dhe Brukselin dhe të krijojë rrethana kur faktikisht do të rinegociohej e gjithë pakoja e Ahtisarit dhe do të krijoheshin rrethana shumë të pafavorshme për ne, Brukselin dhe Washingtonin. Por nuk ka shanse. Ky është një pozicion shumë i gabueshëm i Serbisë. Kaptina e statusit të Kosovës është e qartë. Dhe ju tash duhet të trajtoni se si mund të normalizoni marrëdhëniet me Kosovën. Perëndimi i ka bërë një favor të madh Serbisë, sepse po thotë, momentalisht ju nuk keni nevojë ta pranoni shtetin e Kosovës, gjë që nuk është koncesion i vogël për lidershipin e sotëm serb. Mendoj, që drejtimi që ka marrë zonja Ashton është i vetmi. Ai drejtim nënkupton jo më larg se deri në qershor të vitit të ardhshëm të kruhen punët rreth Kosovës. Perëndimi është lodhë me Kosovën dhe Ballkanin. Problemet që ekzistojnë në Kosovë, në raportet Kosovë- Serbi janë probleme krejtësisht margjinale me problemet që ka bota duke përfshirë edhe perëndimin në Afganistan e Siri psh. Ne kemi 40 – 50 mijë banorë në veri, kemi 40-50 mijë viktima në Siri në dy vjetët e fundit dhe e dimë që nuk ka ilaç momentalisht për gjendjen në Siri dhe tash si ushtarakët e NATO-s në Bruksel sikurse zyrtarët e lartë të BE-së, janë të habitur se si nuk po zgjidhen këto probleme.

Zëri i Amerikës: Besoni se qershori mund të jetë një afat optimal kur mund ta shohim veriun të zgjidhur, të integruar?

Blerim Shala: Ne besojmë se ekziston një dritare e mundësisë, siç thuhet në gjuhën angleze, që kjo temë të trajtohet shumë shpejt. Nuk shohim se problemet në veri kanë karakter të tillë që të mos zgjidhen deri në qershor. Çfarë duhet është një vullnet i mire i Serbisë. Ju mund të thoni se ku e keni parë atë vullnet të mirë që Serbia nuk ka pasur kurrë vullnet të mirë për Kosovën. Por, tash është situata shumë e qartë. I është thënë: bllokada për të hyrë në BE është Kosova. Në konkluzat për Kosovën të BE-së, sado që jemi të pakënaqur, është formulimi shumë i qartë, që kemi të bëjmë me hyrjen e Kosovës dhe Serbisë veç e veç në BE. Nuk ka aty asnjë spekulim se Kosova do të jetë ndryshe por si një shtet në kuptimin e plotë të fjalës në BE.

Zëri i Amerikës: Por, a po paguan Kosova një çmim në këtë kuadër për shkak të Serbisë...?

Blerim Shala: Po si jo. Ne kemi paguar çmim, jo vetëm ne por edhe Washingtoni e Brukseli duke pritur kot së koti Boris Tadiçin. Prej vitit 2008 e këndej na ka sjellë të gjithëve në një rreth të mbyllur. Na ka humbur kohë edhe neve edhe perëndimit duke na thënë: mos keni merak, pas tre muaj e kryej këtë punë, pas gjashtë muajsh këtë punën tjetër, e di çfarë janë strukturat paralele në veri, e di që tema e veriut është barrë për mua. Në fund çfarë bëri? Na humbi pesë vjet neve edhe vetes fundi i fundit, duke i thënë perëndimit, nëse ju kujtohet, se nëse lëshoj pe sot, pas tre muajsh do të humb pushtetin, do të vijnë radikalët, do të vijnë socialistët në pushtet dhe ju do shihni me kë keni punë. Por, kjo ndodhi edhe pse ai nuk lëshoi fare pe në rastin e Kosovës. Jam i bindur se sikur të kishte zgjidhur problemin me Kosovën dhe ka pasur rast historik me 2008 e 2009, ai nuk do të kishte humbur zgjedhjet. Kosova ka paguar një tatim të lartë politik deri sot, prandaj nuk kemi kohë për të pritur. E ka perëndimi obligim, e kemi obligim qi qytetarë të Kosovës si politikanë ta zgjidhim problemin e veriut, të krijojmë rrethana kur Kosova do të funksionojë si tërësi dhe do të ketë atë arritjen që quhte në teoritë politike, sovranitetin e brendshëm që është garant për sovranitetin e jashtëm që vuloset normalisht me hyrjen e Kosovës në OKB.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, emërimi juaj në detyrën e bashkërenduesit është parë edhe si dëshmi e afrimit të partisë suaj me qeverinë e kryeministrit Thaçi. Tashmë kjo çështje është shndërruar ne temë te gjerë diskutimesh. A ka një përfundim për këto debate?

Blerim Shala: Ne kemi menduar dhe mendoj që me vend kemi thënë që tema e veriut të Kosovës është temë e interesit nacional dhe në trajtimin e saj është gabim të kemi ndarje mes qeverisë dhe opozitës. Kosova ka qenë unike edhe ne Rambouillet edhe në procesin e Vjenës, se ndryshe nuk bën, sepse këto janë tema prek të cilave varet fati i Kosovës e jo fati në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për këtë shkak ne jemi ofruar dhe jemi së bashku në këtë proces. Kjo nuk paragjykon asgjë. Dmth, mund të ketë shenja që në këtë mënyrë krijohet një mirëbesim ndërmjet PDK-së dhe AAK-së dhe nesër bëhet ajo qeveria e koalicionit, por mund të ndodhë që faktikisht nuk do të krijohet qeveria e koalicionit. Por, kjo nuk do të thotë tash se unë apo Ramush Haradinaj do të hidhërohemi brenda natës dhe do të themi ‘nëse nuk doni të krijoni qeveri të tillë me ne, atëherë po e lëmë edhe punën e dialogut”. Do të ishte me të vërtetë sjellje fëmijërore e padenjë për ne dhe këtë temë duhet ta heqim njëherë e përgjithmonë prej tavolinës. Por, mendoj që qëndrimi i Ramush Haradinajt është për t’u përshëndetur. Jo që është kryetar i AAK-së, por të kthehesh pas tetë vjet ndërmarrjeje aq të rëndë për veten, për familjen e tij dhe të përçosh mesazhe pajtimi, qetësimi politik dhe gatishmërie për bashkëpunim, duke përfshirë edhe gatishmërinë t’i shërbesh vendit tënd, është një mrekulli i madhe.
XS
SM
MD
LG