Lidhje

Thaçi: E kemi shmangur rrezikun e ndarjes së Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Zërit të Amerikës se në bisedimet me Serbinë Kosova është shpëtuar nga krijimi i ndonjë autonomie, apo “Republike Serbe”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se bisedimet me Serbinë është shmangur çdo mundësi e ndarjes së Kosovë dhe krijimit të ndonjë Republike serbe. Ai tha se me zgjedhjet në veriun e banuar me shumicë serbe është hapur rruga e integrimit politik por edhe fizik të asaj zone. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi. kryeministri Thaçi, flet edhe për zhvillimet e brendshme politike pas zgjedhjeve komunale.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, aktualisht Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme të bisedimeve me Serbinë. Ju sapo përfunduar një raund bisedimesh dhe të premten pritet të takoheni sërish për të diskutuar çështjet e drejtësisë. Çfarë prisni nga ky takim?



Hashim Thaçi: Jemi në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të implementimit të marrëveshjeve që dalin prej marrëveshjes së përgjithshme të prillit të arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në takimin e fundit jemi dakorduar për integrimin e policisë në mënyrë individuale në institucionet e Republikës së Kosovës. Tani qytetarët atje do të aplikojnë në baza krejt individuale, do t’i plotësojnë kushtet dhe standardet sikur të gjithë policët tjerë të Kosovës. Ndërsa takimi i radhës do të jetë për sistemin e drejtësisë, një sistem unik, një sistem sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kështu që po shkon implementimi ashtu siç është planifikuar. Mund të jetë edhe më konkret dhe i shpejt, por ajo që është shumë me rëndësi është se ka gatishmëri prej shtetit të Kosovës, ka gatishmëri edhe mbështetje edhe nga ana e Serbisë të përmbyllet ky proces sa më shpejt dhe ka një gatishmëri shumë të fuqishme prej baroneshës (Catherine) Ashton, BE-së dhe SHBA-së të vazhdojë të përmbyllet me sukses të plotë ky proces në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit përfundimtar të shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi çështjes së policisë. Ka pasur shumë shqetësime në Kosovës se brenda këtyre strukturave mund të përfshihen edhe elemente që kanë një të kaluar kriminale. A ka një proces të verifikimit të këtyre njerëzve?

Hashim Thaçi: Testimi dhe verifikimi do të ndodhë sikur që ka ndodhur me çdo polic të Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk do të jetë asnjë individ që do të integrohet në policinë e Kosovës, që ka të kaluar të dëshmuar kriminale.

Zëri i Amerikës: Kush e verifikon këtë?

Hashim Thaçi: E verifikon policia e Kosovës, EULEX-i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Po sa i përket çështjeve të drejtësisë? Beogradi ka ngulur këmbë që të ketë gjykata të veçanta në veri që do të pasqyronin përbërjen etnike. Si në fakt prisni të duket sistemi i drejtësisë atje?

Hashim Thaçi: Sistemi i drejtësisë do të duket si në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, një sistem unik i drejtësisë, i cili do të funksionojë sipas standardeve, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore te Republikës së Kosovës. Pra, nuk do të jetë kriter etnia, por profesionalizmi dhe respektimi i plotë i kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës?

Zëri i Amerikës: Dhe ligjet...?

Hashim Thaçi: Natyrisht, ligjet e Kosovës do të jenë gjithmonë të vetmet të respektuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, por sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, a keni arritur ndonjë pajtim se si do të funksionojë ai?

Hashim Thaçi: Organizimi i zgjedhjeve sipas standardit më të lartë ndërkombëtarë në Kosovë, vlerësimi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhjet lokale që sapo përmbyllëm, ishte një fitore e madhe për Kosovën, një fitore e madhe për institucionet, për partitë politike, por mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës. Pastaj edhe pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ka rritur kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, kredibilitetin edhe të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar legjitimimin e plotë të marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por na kanë dhënë të drejtë në angazhimet dhe vendimet tona që kemi marrë, sepse ne definitivisht e kemi larguar rrezikun e ndarjes së Kosovës, ndërsa tash kemi një integrim politik, një integrim kushtetues dhe një integrim edhe fizik, në kuptimin territorial por edhe politik të qytetarëve serbë që jetojnë në veri. Pra, tani do të vazhdojmë të punojmë me kryetar të ri që sapo janë zgjedhur. Pres shume shpejt që t’i takoj dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në nivel të qeverisë qendrore dhe në nivel lokal. Edhe sa i përket betimit të kryetarëve të ri që janë zgjedhur, kudo që janë, qoftë në veri, qoftë në jug, do të jetë plotësisht në përputhshmëri sikur betimet e të gjithë kryetarëve të komunave, si në Han të Elezit si në Leposaviq, si në Prizren po ashtu edhe në Zveçan.

Zëri i Amerikës: Thatë se më këtë është shmangur ndarja e Kosovës, por, a po ndodhë një ndarje e brendshme siç ka shumë shqetësime në Kosovë, krijimi i një entiteti që tashmë edhe ndërkombëtarisht do të ketë njëfarë legjitimiteti?

Hashim Thaçi: Në asnjë rrethanë diçka e tillë nuk do të ndodhë. Hapat e parë integrues konkret, shihen. Ky integrim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Integrimi politik, integrimi pastaj edhe në nivel institucional edhe me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ndërsa do të vazhdohet të punohet ngushtë me kryetarët e komunave që janë zgjedhur të rinj. Për herë të parë kemi kryetarët e komunave legjitim edhe në katër komunat e veriut. Ndërsa ne kemi projektet infrastrukturore për investime kapitale të ndryshme edhe në veri. Prandaj mendoj se ky vit ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe i suksesit historik për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, por edhe integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën institucionale dhe shoqërore.

Zëri i Amerikës: Marrëveshjet që keni bërë me kryeministrin serb i kanë mundësuar Serbisë të marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa përshpejtimi i këtyre bisedimeve a është tash një ndihmesë që po i jepni Serbisë që të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim?

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi: Marrëveshjet që kemi arritur si shtet i Kosovës me Serbinë janë të parat në nivel të barabartë si dy shtete. Marrëveshjet janë në interesin e Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këto takime kemi hyrë si fitues, si vend i pavarur dhe sovran. Për herë të parë ballafaqohemi me Serbinë në këto nivele. Ndërsa ajo që ne kemi realizuar është se kemi shpëtuar Kosovën nga ndarja, e kemi shpëtuar Kosovën nga krijimi i ndonjë autonomie apo “Republika Srpska” për serbët dhe tash kemi një Kosovë unike, të integruar, një Kosovë sipas standardeve evropiane që po e ndërtojmë. Ndërsa sa i përket të ardhmes evropiane të Serbisë, natyrisht se e ardhmja evropiane e çdo shteti në rajon, kalon përmes implementimit të kritereve që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të fqinjësisë së mirë. Për aq sa Serbia tregohet në fqinjësinë e mirë me Kosovën, po sa më farë do të jetë me BE-në. Por, kjo vlen edhe e kundërta. Nëse ne e mbyllim me sukses normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, atëherë të dy shtetet tona si vende sovrane do të jenë afër BE-së e në të ardhmen edhe pjesë e NATO-s dhe BE-së. Por, kjo vlen edhe për të gjitha vendet tjera të rajonit. Fqinjësia e mirë është kriter kyç për të ardhmen evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, zgjedhjet që sapo përfunduan dhanë edhe një shenjë tjetër për Kosovën që ka të bëjë me ndryshimin e gjeografisë së brendshme politike të Kosovës. Cili mund të jetë ndikimi i tyre në zhvillimet e ardhshme politike në vend, përfshirë edhe zgjedhjet e përgjithshme?

Hashim Thaçi: Ajo që fillimisht do të doja të theksoja është se ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, të drejta dhe demokratike sipas standardeve më të larta ndërkombëtare në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve për herë të parë pas 14 vitesh. Por, në të njëjtën kohë ndjehem mirë me përkushtimin dhe përgjegjësinë që kanë treguar spektri politik për të marrë përgjegjësi të përbashkëta në këtë proces të rëndësishëm demokratik, por edhe mesazh edhe për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Pra, ndjehem tepër mirë që Kosova ka kaluar një test jashtëzakonisht të rëndësishëm evropian për të ardhmen euro- atlantike. Ndërsa sa i përket rezultatit zgjedhor, gjithashtu si kryetar i PDK-së, në të njëjtën kohë, ndjehem shumë mirë që PDK, përsëri është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional. Natyrisht, jemi dëshmitar të disa befasive sa i përket rezultatit, por për mua si kryeministër i Kosovës më me rëndësi ka qenë standardi zgjedhor sesa rezultati. Por, mund të them se edhe disa befasi që kanë ndodhur, diku kanë qenë, mund të them lirisht, skandale elektorale zgjedhore, si në rastin e Mitrovicës. Por, mund të them se në disa komuna kanë ndodhur disa ndryshime, lirisht mund të them, që i japin kuptim më të shëndetshëm skenës politike kosovare.

Zëri i Amerikës: Pse ishte skandal? A nuk ishte ky dështim i PDK-së në Mitrovicë?

Hashim Thaçi: Unë mund të them se edhe sa i përket përgjegjësive të PDK-së, ne kemi diskutuar dhe natyrisht që do të duhej evituar disa dobësi dhe lëshime që kanë ndodhur në komuna të ndryshme të Kosovës. Por, sot selitë e të gjitha të partive politike në të njëjtën kohë edhe janë të kënaqura, por në të njëjtën kohë edhe janë të dëshpëruara me rezultatin zgjedhor. Por, si kryetar i PDK-së, ju thashë edhe njëherë që PDK edhe pas pesë palë zgjedhjesh, është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional, si partia fituese edhe zgjedhjeve lokale 2013 dhe me hap të sigurt për t’u rikonfirmuar përsëri partia fituese edhe e zgjedhjeve nacionale 2014.

Zëri i Amerikës: Të cilat mund t’i presim në cilën periudhë të vitit 2014?

Hashim Thaçi: Ne kemi diskutuar dhe lidershipin kosovar edhe sot sa i përket reformës zgjedhore. Fillimisht do të përmbyllim reformën zgjedhore që kërkon një konsensus të të gjithë liderëve politik. Ndërsa, periudhën kohore do ta përcaktojmë bashkërisht, por është shumë me rëndësi që të mos ndodhin zgjedhjet në periudha të ftohta kohore, apo kur janë ditët e shkurtra, kështu që do të jemi fleksibil sa i përket periudhës kohore.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër. Sot është dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit e cila Kosovën e gjen të radhitur poshtë në mesin e vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit?

Hashim Thaçi: Drejtësia kosovare tash e 15 vite udhëhiqet nga ndërkombëtarët. Kosova ka bërë hapa konkret në tre-katër vitet e fundit në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Hapa konkret që janë përshëndetur edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Tani është momenti që sistemi i drejtësisë të bartet tek autoritetet vendore, që edhe mekanizmat e EULEX-it që e kanë mandat ekzekutiv të bartin autoritetin tek institucionet e Republikës së Kosovës, sepse Kosova ka dëshmuar pjekuri të lartë politike dhe shtetërore edhe në procesin e negociatave me Serbinë edhe me procesin e organizimit të zgjedhjeve të lira, që nuk mund të krahasohen me asnjë vend tjetër të rajonit. Prandaj, sa më tepër që merr Kosova përgjegjësi në këtë drejtim, aq më e efektshme do të jetë lufta edhe kundër korrupsionit edhe kundër krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: Ka fuqi të brendshme Kosova që ta bëjë një gjë të tillë?

Hashim Thaçi: Definitivisht Kosova është storie e suksesit të plotë, është një vend, nje shtet që është në përmbyllje të konsolidimit dhe sa më tepër merr përgjegjësi aq më të fuqishme do të jenë edhe vendimet edhe përkushtimet tona.

Zëri i Amerikës: Ju keni bërë një strategji për përmbylljen e misionit të EULEX-it. A nuk është pak herët?

Hashim Thaçi: Mendoj se është pak vonë. Kjo ka ndodhur pas konsultimeve edhe me lidershipin tjetër politik kosovar. Janë 15 vjet të tranzicionit demokratik, janë gjashtë vite të Kosovës së pavarur dhe sovrane. Nuk ka ndodhur askund që diçka e tillë të ndodhë kaq gjatë. Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe natyrisht që edhe misioni evropian i rendit dhe ligjit, duhet të përmbyllë punën me sukses. Kështu që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe hap pas hapi, vitin e ardhshëm, ky mision të bartë autoritetin ekzekutiv tek institucionet legjitime dhe sovrane të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG