Lidhje

Faith: Bisedimet edhe për veriun,por me vija të kuqe


Pieter Faith

Pieter Faith

Shefi i zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Faith, i tha Zërit të Amerikës, se çështja e veriut të Kosovës duhet të diskutohet edhe me Beogradin

Zëri i Amerikës: Zoti Faith, katër vjet më parë ju morët përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të planit të zotit Ahtisaari. A jeni të kënaqur me zbatimin e tij?

Pieter Faith: Në përgjithësi, jam shumë i kënaqur që plani i zotit Ahtisaari është zbatuar në mënyrë thelbësore. Ne e kemi parë Kosovën të tejkalojë periudhën e hershme të pavarësisë dhe lindjes së saj të suksesshme, forcimin e institucioneve, zhvillimin e ekonomisë, me rrugën e hapur për integrime rajonale dhe me garancitë se miqtë e saj do të vazhdojnë të mbështesin vendin dhe udhëheqësit e saj politik. Me këtë, po ju referohem Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe demokracive të tjera të rëndësishme në botë.

Zëri i Amerikës: Cilat kanë qenë dështimet kryesore sipas jush?

Pieter Faith: Mendoj se është zhgënjyese që nuk arritëm më shumë përparim në veri. Dhe së dyti, kisha shpresuar që kushtet sociale ekonomike për njerëzit e Kosovës do të ishin më të shkëlqyera nga ç’janë tani dhe që të shihnim më shumë investime. që do të krijonin më shumë mundësi për punësim.

Zëri i Amerikës: Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, po përfundon pa përfunduar edhe çështja e veriut të Kosovës. Kush do të merret me këtë çështje pas jush?

Pieter Faith: Pikë së pari, siç e kam thënë edhe më parë, komuniteti ndërkombëtarë mund të ndihmojë, por nuk mund të bartë veprimet e qeverisë. Ajo duhet të paraqesë ofertë bindëse dhe propozime për komunitetin serb në veri, në mënyrë që të përfitojë zemrat dhe mendjet e tyre, sepse vetëm duke krijuar mirëbesim të komunitetit serb, mund të shohim veriun të mbetet i lidhur me Prishtinën. Kjo është e mundur, por mund të bëhet vetëm nga qeveria. E dyta, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojnë dhe mund të ngrihen në një proces më politik. Këto janë dy mekanizma ku çështja e veriut mund të gjejë zgjidhje. Më lejoni të them se Serbia dhe Kosova kanë ardhmëri evropiane dhe zgjidhja për veriun duhet të përshtatet në kuadrin e zgjerimit dhe përafrimit. Ajo çfarë dua të them është se, çfarëdo që të jetë rezultati i çfarëdo procesi negociatash, duhet të bëjë të mundur për të dyja palët, Serbinë dhe Kosovën, që të lëvizin më afër Bashkimit Evropian dhe të përmbushin kriteret, prandaj veriu duhet të jetë në kuadër të këtij procesi.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se veriu do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve?

Pieter Faith: Nuk e shoh pse jo? Dhe, sinqerisht nuk e shoh se si mund të ndodhë ndryshe. Janë dy mundësi për përmirësimin e situatës në veri. Duke përdorur forcën, që mendoj se nuk është një mundësi. Ose, me negociata dhe hapat që i përmenda. Duke siguruar besimin e popullatës dhe duke ndjekur udhërrëfyesin që përmban procesi i stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. Është e qartë se veriu do të diskutohet vetëm më vija të kuqe, që veriu do të mbetet në Kosovë dhe që duhet gjetur zgjidhjen që siguron se Kosova, përfshirë veriun do të jetë funksionale si shtet dhe demokraci. Ajo për çka duhet të mendojmë është që të gjejmë mundësi për ta bërë komunitetin në veri më komod. Beogradi duhet të jap ndihmesën e tij. Realiteti në veri është që Prishtina nuk ka kontroll faktik atje dhe pjesa më e madhe e serbëve në veri shohin nga Beogradi për udhëzime. Mendoj se është e pjekur dhe e kuptueshme të mendohet për ndihmën konstruktive që mund të jap Beogradi dhe jo të refuzohet kjo. Është edhe një aspekt i rëndësishëm që ne të gjithë duam të shohim strukturat paralele të financuara nga Beogradi, posaçërisht praninë e strukturave të sigurisë së shtetit serb, të largohen nga territori i Kosovë dhe të mënjanohen. Ky ishte qëndrimi i Gjermanisë dhe kancelarës gjermane që nga viti i kaluar dhe kjo është shumë me rëndësi. Pra, sikur të ishte çështja qoftë vetëm për këtë aspekt, Beogradi duhet të përfshihet në një mënyrë apo tjetër në përpjekjet për normalizimin e situatës në veri.

Zëri i Amerikës: Ju jeni njohës i mirë i zhvillimeve në rajon. Dikur keni udhëhequr edhe procesin e paqes në Luginën e Preshevës. Përfaqësuesit shqiptarë në atë zonë kërkojnë të jenë pjesë e bisedimeve Kosovë Serbi dhe trajtim të njëjtë me atë që do t’u bëhet serbëve në veri. Si i shihni ju këto kërkesa?

Pieter Faith: Duhet të kthehemi prapa në vitin 2001 kur ishte arritur një marrëveshje e quajtur marrëveshja e Konçulit, që përfshinte hyrjen e forcave serbe në komunat e atjeshme dhe po ashtu plane për përfshirje të komunitetit shqiptarëve në institucionet demokratike dhe zhvillimet sociale e ekonomike. Ajo që shoh është se qytetarët e Luginës së Preshevës janë të zhgënjyer me faktin se zbatimi i marrëveshjes nuk është i kënaqshëm. Kjo më kthen në çështjet themelore. Në mund të arrijmë marrëveshje në cilindo dialog, por nëse nuk ka zbatim, atëherë ajo është e padobishme. Për Preshevës, është me e zgjuar që të rishikohet edhe njëherë marrëveshja e vitit 2001, posaçërisht nga Beogradi, për të parë se pritjet e krijuara 11 vjet më parë të përmbushen.

Zëri i Amerikës: A ka mundësi të ketë një krahasim, një qasje të ndërsjellë midis veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës?

Pieter Faith: Mendoj se do të ishte më mirë që çështja e Preshevës të mos përfshihej në dialog në këtë periudhë. Pa i ndërlikuar çështjet, ne do të duhej të përqendrohemi në veriun e Kosovës dhe çështjet tjera ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kjo është rruga për të arritur përparim të shpejt dhe jo duke lidhur çështje të tjera në këtë moment. Nëse do të ketë një forcim mirëbesimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në periudha të mëvonshme, do të mund të diskutohej se si të zbatohen më mirë ato që janë arritur në marrëveshjen e vitit 2001 dhe t’u krijohen kushte më të mira qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Zëri i Amerikës: Nga e hëna më 10 shtator, institucionet e Kosovës mbeten me më shumë sovranitet dhe rrjedhimisht me më shumë detyra. Sipas jush, cilat janë sfidat më themelore të qeverisë pas asaj dite?

Pieter Faith: Ne po flasim për reforma, reforma dhe më shumë reforma. Dhe kjo është ajo që pritet nga çdo vend që synon të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Kjo ka të bëjë me qeverisjen në radhë të parë dhe unë e kam përmendur nevojën që udhëheqësit politik të Kosovës të zbatojnë standardet etike të jetës personale dhe politike. Së dyti, çrrënjosja e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është e rëndësishme edhe për shkak të zhvillimit ekonomik, sepse investime nuk do të ketë nëse mbi shtetin qëndron hija e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo dëmton imazhin ndërkombëtarë të Kosovës. Ajo mund ta zhvillojë ekonominë e saj nëse do të ketë integrim më të madh rajonal, që sërish është çështje që duhet biseduar me Serbinë dhe nëse ajo siguron një imazh më të mirë ndërkombëtarë. Pastaj, janë një varg çështjesh që janë të përfshira në planin e Ahtisaarit dhe që janë njëkohësisht të njëjta me parimet, vlerat dhe standardet që Bashkimi Evropian dëshiron t’i shohë të zbatuara e që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të komuniteteve, të njeriut, lirinë e medies. Po ashtu po përmend edhe privatizimin dhe së fundi ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare dhe pronën e kishës ortodokse serbe. Ka edhe çështja tjera, por këto janë disa nga përparësitë që do t’i gjeni në studimin e fizibilitetit të Bashkimit Evropian dhe në Raportin e Progresit. Ajo që më jep komoditet dhe ndjenjë pozitive është se pas mbylljes sonë nuk do të mbetet një “vrimë e zezë”, por Bashkimi Evropian dhe aleatët kryesor të Kosovës si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojnë të nxisin zbatimin e planit të zotit Ahtisaari.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka mjaft vullnet politik për të çuar përpara reformat dhe posaçërisht luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Pieter Faith: Mendoj se ka, por duhet më shumë punë. Nuk është e lehtë dhe duhet ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare, siç është vazhdimi i misionit të EULEX-it. Komuniteti ndërkombëtarë është i gatshëm të ndihmojë, por ju keni të drejtë, është në duart e udhëheqësve politikë që të dëshmojnë vullnet politik. Unë kam përshtypjen se ka vullnet politik sepse kjo do t’i ndihmojë Kosovës që të arrijë synimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që është shpërblimi dhe përfitimi i madh për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Po largoheni nga Kosova. Me çfarë ndjenje? A është kjo Kosova që e keni menduar ju në fillim të mandatit tuaj?

Pieter Faith: Jam krenar që isha i lidhur me pavarësinë e Kosovës. Ajo nuk ishte e tillë para shkurtit të vitit 2008 e sot është një demokraci e re. Te jesh i lidhur me shtetndërtimin e demokracisë më të re në Evropë, është një ndër i jashtëzakonshëm dhe ndjehem thellësisht i privilegjuar që organizata ime ka ndihmuar në këtë periudhë fillestare. Nuk ishte e lehtë sepse ne kishim pritur që plani i Ahtisaarit do të pranohen nga Këshilli i Sigurimit, nga Serbia dhe shtete të tjera, Kjo nuk ndodhi. Prandaj, lindja dhe faza fillestare e ngritjes në këmbë ishte shumë e vështirë e për Kosovën dhe ishte një vështirësi e jashtëzakonshme për udhëheqjen politike që të punohet për zhvillimin e Kosovës duke u përballur me sanksionet dhe pengesat e Serbisë. Por, jam i lumtur që e tejkaluam këtë dhe jam i bindur se për dhjetë vjet, Kosova do të jetë më e përparuar dhe në përpara në rrugën e saj drejt Evropës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG