Lidhje

Zeka: Gazetarët në Ballkan – më të pambrojturit


Gazetari, Milaim Zeka është akuzuar nga EULEX-i për intervistimin e dëshmitarëve të mbrojtur. Ai e quan këtë shantazh ndaj gazetarëve në Kosovë

Dita ndërkombëtare e lirisë se medies nuk është shënuar me ndonjë veprimtari të vecantë, ndonëse Kosova radhitet në mesin e vendeve me liri të pjesshme. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gazetari Milaim Zeka, i akuzuar ditë më parë nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, thotë se gazetarët në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan, janë më të pambrojturit.
Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, jeni akuzuar nga Misioni i BE-së për sundimin e ligjit për siç është thënë ndërhyrje në drejtësi, përkatësisht për intervistimin e dëshmitarëve të mbrojtur. Si e shihni këtë akuzë dhe çfarë prisni ju, si do të zhvillohet ky proces?

Milaim Zeka: Fillimisht dëshiroj të them se është fatkeqësi që Misioni i BE-së ka ngritur aktakuzë ndaj një gazetari i cili edhe është nënshtetas evropian, jam nënshtetas suedez dhe ky është një sulm direkt ndaj punës së gazetarëve, ndaj veprimtarisë së gazetarëve dhe ushtrimit të profesionit tonë në mënyrë të lirë. Unë e shoh këtë si një shantazh dhe një kërcënim që u bëhet gazetarëve të Kosovës, ngase Kosova me themelimin e gjykatës speciale, do të kalojë nëpër procese shumë të rënda këtë vit dhe vitin që vjen. Do të ketë arrestime të jashtëzakonshme, do të ketë procedura dhe zhvillime të jashtëzakonshme gjyqësore dhe duke e akuzuar një gazetar suedez, misioni evropian dëshiron tu dërgoj një mesazh gazetarëve të tjerë dhe tu thotë që “derisa ne guxojmë me e kapë një gazetar të tillë – juve çka ju bëjmë”. Pra, për mendimin tim është shantazh dhe shkelje e të drejtave të gazetarëve.

Zëri i Amerikës: Por, para se të ishte e tillë, çfarë e cilësoni ju, a nuk është kjo një përpjekje për të vënë drejtësinë në fakt? Ju keni shkelur ligjin.

Milaim Zeka: Unë nuk e kam shkelë ligjin, për shkak se unë nuk e kam ditur që këta dëshmitarë janë të mbrojtur ose të pambrojtur dhe çdo dëshmitar është i mbrojtur vetëm në rast se do të jetë i mbrojtur. Dhe, në momentin që ai nuk dëshiron të jetë i mbrojtur, nuk është i mbrojtur. Unë nuk kam poseduar informacion që janë dëshmitar të mbrojtur ose të pambrojtur. Këta janë dëshmitarë të cilët kanë dhënë intervistë me vullnetin e tyre. Por, ajo çka e bën akuzën shumë absurde në rastin tim konkret është se unë akuzohem për momentin për një dëshmitar që kam tentuar ta bëj intervistë, e kam takuar në një kafe dy herë dhe intervistë e cila nën një: kurrë nuk është zhvilluar, nën dy: kurrë nuk është transmetuar.

Zëri i Amerikës: Por, në njëfarë mënyrë sipas EULEX-it ju keni ndërhyrë vetvetiu duke u takuar me dyshimtarin e mbrojtur. A nuk duhet një gazetar ta vërtetojë statusin e dikujt para se t’i qaset atij?

Milaim Zeka: Nuk është në mënyrë absolute asnjë ndërhyrje që e bëjnë gazetarët në procese të tilla. Në të gjitha praktikat e gjyqeve edhe në Amerikë edhe në Evropë, gazetarët janë të lirë në mënyrë absolutë të bëjnë intervista me dëshmitarë. Dhe, në qoftë se në këtë rast dëshmitari ka qenë i mbrojtur, atëherë është përgjegjësia e EULEX-it që nuk arritur me i izolue këta dëshmitarë dhe nuk u ka thënë që ju nuk keni të drejtë absolute të kontaktoni me gazetarë. Është përgjegjësi e policisë së Kosovës, përgjegjësi e policisë së EULEX-it t’i ruajnë dëshmitarët e vet. Prandaj unë nuk besoj që kamë ndërhyrë, në mënyrë absolute.

Zëri i Amerikës: Por, çështja e dëshmitarëve në Kosovë është çështje e mprehtë tash një kohë të gjatë. Diskutohet shumë për pamundësinë e mbrojtjes së tyre, mungesën e një programi të mirëfilltë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Nga përvoja a nuk do të ishte kjo e mjaftueshme që ju të përmbaheni nga qasja ndaj dëshmitarëve, qoftë edhe për duke i mbrojtur ata?

Milaim Zeka: Jo, te unë është e kundërta. Kanë abuzuar shumë UNMIK-u dhe EULEX-i me çështjen e dëshmitarëve të mbrojtur. Janë vet prokurorët e ndryshëm të EULEX-it në krye me (Mauricio) Salustron, i cili ju ka dërguar deklaratat e dëshmitarëve të mbrojtur e të pambrojtur gazetave ditore të Kosovës, që në realitet të gjitha i kanë zbuluar dhe publikuar. Rasti im dallon shumë, ngase unë jam rasti i parë në korin e gazetarëve të Kosovës që kamë bërë një punë hulumtuese rreth punës së EULEX-it, rreth prokurorit Salustro, që kamë bërë një punë hulumtuese se cilat metoda i kanë përdorur gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Këtu është problemi që këta i ka prekur shumë. E kam parë se këta nuk u kanë treguar dëshmitarëve se janë të drejtë për avokat, nën një. Nën dy, nuk janë marrë në cilësinë e dëshmitarëve, por janë marrë nëpër oda shqiptare në pyetje, në cilësinë e një bisede informative. Dhe duke e parë që evropianët kanë bërë shkelje flagrante të procedurave ligjore, mua më kë lindë ideja të bëj një punë hulumtuese se çka po bëjnë këta prokurorë, këta hetues? A janë duke u sjellë si evropianë, apo janë duke u sjellë si në kohën e Titos e në kohën e Enver Hoxhës? Dhe në fakt të gjitha metodat që i kanë përdorur për marrjen në pyetje të dëshmitarëve kanë qenë metoda antiligjore.

Zëri i Amerikës: Por, pavarësisht nëse ata kanë vepruar në mënyrë antiligjore siç thoni ju, a duhet të arsyetojë kjo veprimin tuaj të mundshëm joligjor?

Milaim Zeka: Unë prapë po them, veprimi im nuk është joligjor. Veprimi im është veprim gazetaresk. Ne si gazetarë e kemi një mision. Misioni ynë është gjithmonë me e kontrollue atë që ka pushtet. Në rastin konkret EULEX-i ka pushtet ekzekutiv në Kosovë dhe asnjë njeri nuk është marrë me punën e EULEX-it, Asnjë koleg imi nuk ka hulumtuar punën e EULEX-it, çfarë metodash përdorë. Përkundrazi, unë mendoj që është bërë shkelje shumë e rëndë në raport me njerëzit e akuzuar, me njerëzit e arrestuar, kur gazetarët, disa kolegë të mi, u kanë bërë gjyq moral duke i publikuar intervistat e dëshmitarëve. Pse, Salustro, prokurori italian, nuk tha pse po i publikoni ju deklaratat e dëshmitarëve nëpër gazeta? Në momentin që këta dëshmitarë erdhën dhe më thanë mua që Salustro na ka premtuar para, Salustro na ka premtuar me na çue në cilin vend të botës të duam, vetëm deklaroni ju, domethënë i ka joshur me metoda antiligjore, atëherë reagoi.

Zëri i Amerikës: Zoti Zeka kjo praktikë është e njohur. Sigurimi i dëshmitarëve bashkëpunues bëhet edhe me ofertë për t’u siguruar atyre edhe fshehtësinë por edhe jetën më tutje. Përse duhet të bënte përjashtim në Kosovë?

Milaim Zeka: Nuk është e vërtetë, Kjo praktikë zbatohet në Evropë dhe SHBA kur dëshmitari kërkon. Në rast se dëshmitari nuk kërkon, në rast se ti e joshë dëshmitarin, ti ke bërë shkelje ligjore, sepse, atëherë duke joshur dëshmitarin po e shtynë atë me e shkelë ligjin dhe me dhënë deklaratë të rrejshme. Dhe fakti është dështimi i kaq shumë rasteve në procese gjyqësore shumë të mëdha ndaj krerëve të UCK-së, ndaj krerëve të politikës në Kosovë. Pse kanë dështuar? Pikërisht duke i joshur dëshmitarët, Në qoftë se një dëshmitar e ka një dëshmi të saktë dhe ky dëshmitar thotë para se të fillojë dëshminë e tij: unë kërkoj të më sigurohet jeta, unë kam frikë, ajo është tjetër muhabet. Ka ndodhur e kundërta.

Zëri i Amerikës: A keni frikë nga ky proces dhe si mendoni që do të përfundojë?

Milaim Zeka: Unë kam frikë vetëm për një arsye. Kam frikë që BE është duke u dërguar një mesazh të frikshëm kolegëve të mi, sepse unë për vete nuk kam aspak frikë, e para. Dhe e dyta, nuk ka ndodhur në historinë moderne të Evropës që misioni evropian për shkak të një emisioni më ja dërgue 70 forca speciale policore një gazetari në zyrë dhe në shtëpinë e tij, sikur të isha Osama Bin Ladeni. Kjo është e tmerrshme. Ky është një mesazh që e ulë në zero imazhin e EULEX-it në Kosovë, për të cilin kam ëndërruar që ka ardhur, për të cilin kam thënë publikisht në program televiziv, që nëse misioni i EULEX-it nuk vjen në Kosovë, unë as me aeroplan nuk kaloj mbi Kosovë.

Zëri i Amerikës: E përmendët në fillim edhe gjykatën e posaçme që sapo është themeluar nga Parlamenti i Kosovës. Nisur nga këto që thatë deri tash a mund të ndodhë e njëjta me atë gjykatë meqë evropianët do ta drejtojnë?

Milaim Zeka: Frikësohem që po, edhe pse unë publikisht e kam përkrahur themelimin e kësaj gjykate. Edhe pse unë mendoj që janë tri gjëra të shenjta që i kanë ndodhur Kosovës, pas marsit kur në Prekaz, sic thotë shkrimtari Ismail Kadare, ka shpërthyer zjarri i lirisë së Kosovës, festa e dytë e lirisë ka qenë 24 marsi 1999 kur ka filluar NATO-ja bombardimet kundër (Slobodan) Millosheviçit dhe gjëja më e shenjtë që i ka ndodhur Kosovës, është themelimi i kësaj gjykate speciale, sepse ne presim që Kosova me u pastru. Imazhi i Kosovës do të pastrohet vetëm përmes kësaj gjykate. Por, frikësohem që nëse kjo gjykatë, gjë që nuk e besoj, do të përdorë metodat që janë përdorur deri më tani nga prokurorët e ndryshëm si Salustro e të tjerë, kam frikë që do të dështojë, sepse shumë akuza janë ngritur mbi bazën e thashethemeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, meqë jemi në ditën ndërkombëtare të lirisë së media, si do ta vlerësonit gjendjen e gazetarisë në Kosovë?

Milaim Zeka: Unë do të them dy gjëra që mund të jenë shokante për gazetarët e Ballkanit. Gazetarët ballkanik, në gjithë hapësirën e Ballkanit e që nuk e kuptojnë fatkeqësisht shumë evropian, janë gazetarët që e kanë lirinë maksimale të spekulimit, të gënjeshtrës dhe të dezinformimit. Imagjinoni, një koleg yni ka bërë shaka me Zdravko Colicin dhe ka thënë “Colici e kalli Tiranën, Merita Halili e kalli Beogradin”. Merita Halili midis New Yorkut dhe krejt portalet e kanë marrë si lajm të vërtetë. Domethënë, gazetarët ballkanik e kanë lirinë e pakufishme të thonë gjithçka për personin, individin, me spekulu, me rrejt etj. Kjo është shumë e dëmshme për gazetarinë. Jemi në zero të besueshmërisë. Ne sot, gazetarëve në Ballkan nuk na beson askush. E para. Tash po kthehem te e dyta që është edhe më e rëndë. Jemi kori më i pambrojtur ne Evropë. Jemi të kërcënuar nga mafia politike, nga mafia e biznesit, nga mafia e nëntokës. Por, më së shumti gazetarët ballkanik janë të kërcënuar nga bosët e vet, nga pronarët e medieve. Janë te vetmit gazetarët në Ballkan që nuk kanë sindikata të gazetarëve. Në Kosovë nuk ka sindikatë të gazetarëve. Nuk ka kontrata. 85 për qind të gazetarëve të Kosovës punojnë pa kontrata. Dhe nuk ka shoqata të gazetarëve. Janë vetëm në letër. Kosova i ka tri asociacione të gazetarëve në letër por asnjëra nuk funksionon. Sepse, që të tria janë themeluar mundësisht të vjedhin ndonjë fond, por jo për të mbrojtur gazetarët. Ju e dini se në SHBA, nëse pronari të largon nga puna, të mbron sindikata dhe të siguron rrogë minimum për një vjet. Ndërsa në Kosovë, në momentin që të hedhin në rrugë – je i pambrojtur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG