Lidhje

Binjakëzohen Kosova dhe Ajova


Kosova dhe shteti i Iowa-s nënshkruan sot marrëveshje të partneritetit të ndërsjellë, në përpjekje për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe guvernatori i shtetit të Iowa-s Terry Branstad, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë në krye të një delegacioni të gjerë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e vlerësoi marrëveshjen si shumë të rëndësishme.

Marrëveshja e Partneritetit për Shtetet Simotra, të cilën e nënshkruam sot, ka një rëndësi të veçantë, pasi krijon mundësi të reja për shkëmbime të eksperiencave dhe përvojave në mes dy vendeve tona, mundësi për zhvillim në fushën ekonomike, fushën e kulturës, të drejtësisë dhe të edukimit. Me anë të këtij partneriteti po krijohen mundësi të reja të thithjes së investimeve, të rritjes së kapaciteteve humane, të shfrytëzimit të potencialit tonë natyror, si dhe të promovimit të vlerave tona të përbashkëta. Me nënshkrimin e këtij partneriteti ne po forcojmë dhe më tej përkushtimin tonë të përbashkët për të zhvilluar marrëdhënie miqësore në mes dy vendeve tona”, tha presidentja Jahjaga.

Guvernatori Branstad tha se Kosova ka shënuar një përparim të konsiderueshëm në një periudhë të shkurtër të ekzistimit të saj si shtet i lirë e i pavarur.

E dimë se ka ende punë për të bërë dhe shpresojmë që kjo marrëdhënie e re e shteteve simotra, do të ndihmojë bashkëpunimin dhe partneritetin derisa synojmë një miqësi të gjatë dhe pozitive”, tha guvernatori Branstad.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovë dhe Iowas nuk janë të reja, meqë kjo po zgjatë në dhjetë vitet e fundit me përfshirjen e Gardës Kombëtare të Iowas në forcat paqeruajtëse”, tha guvernatori Branstad, duke nënvizuar partneritetin e Gardës Kombëtare të shtetit të tij me Forcës e Sigurisë së Kosovës.

Duke e falënderuar guvernatorin Branstad për angazhimin e tij, presidentja Jahaga e siguroi atë për mirënjohjen e Kosovës për Shtetet e Bashkuara.

I nderuari guvernator i Iowa-s, i nderuari mik i Kosovës, besoj se kudo që të shkoni, kudo që të gjendeni gjatë qëndrimit tuaj këtu në Kosovë, do ta ndjeni dashurinë e madhe të njerëzve, të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetin e Iowa-s, do ta ndjeni respektin dhe falënderimin nga zemra për ndihmën që populli amerikan i dha Kosovës për të fituar lirinë dhe për të qenë e pavarur dhe për të ndërtuar demokracinë. Ju siguroj se ideali i etërve që e krijuan Amerikën është frymëzim i përhershëm dhe është një dritë udhërrëfyese edhe për mua por dhe për popullin tim që të ecim përpara drejt të ardhmes”, tha presidentja Jahjaga.
Terry Branstad dhe Hashim Thaçi

Terry Branstad dhe Hashim Thaçi


Guvernatori Branstad, i cili takoi gjatë ditës edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi lartë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Të shohësh një kthesë të tillë dhe një marrëveshje të tillë, është një shenjë shumë pozitive për tërë rajonin dhe paraqet një shembull të mirë se si paqja mund të ndërtohet ndërmjet armiqve të vjetër”, tha guvernatori Branstad.

Nënshkrimi i marrëveshjes dhe angazhimi i shumanshëm i shtetit të Iowas në Kosovë, për Prishtinën zyrtare dëshmon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten partner strategjik i Kosovës, sikundër që ishin në proceset që çuan në lirinë dhe pavarësinë e saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG