Lidhje

BIK dënon përdhosjen e figurës së Skënderbeut


Bashkësia Islame e Kosovës tha të enjten se përdhosja e figurave historike nuk ka të bëjë as me fenë islame as me traditën kombëtare shqiptare

Bashkësia Islame e Kosovës tha të enjten se përdhosja e figurës së Skënderbeut është përpjekje për të përdhosur historinë dhe të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar.

Këto komente pasuan njoftimin se dy persona janë arrestuar në fillim të javës në Kaçanik rreth 80 kilometra në juglindje të Prishtinës, si të dyshuar se kanë kryer veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor apo fetar”.

Ata janë shfaqur në një video në kanalin Youtube, duke fyer dhe qëlluar me pëllëmbë bustin e heroit kombëtar mesjetar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës e dënoi këtë akt nëpërmjet një komunikate në të cilën thuhet se “përdhosja, ofendimi, urrejtja e gjuha e kontaminuar janë të pa pranueshme për çdo shoqëri, e aq më tepër për shoqërinë tonë, që është ngritur duke kultivuar mirëkuptimin, tolerancën, respektin e mirëbesimin, sidomos në rrafshin fetar, po edhe në atë ndërnacional”.

Në komunikatë thuhet se “përdhosjen e figurës së Skënderbeut e konsiderojmë një akt të ulët dhe tentim për të përdhosur historinë dhe të kaluarën tonë të lavdishme. Aktet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me fenë islame, me traditën tonë kombëtare dhe normat etike e qytetëruese, dhe si të tilla janë jo humane, antifetare, antiislame, të dëmshme, të porositura nga mentorët që nuk ia duan të mirën popullit tonë”.

Populli ynë gjatë historisë me përkushtim ka ruajtur e çmuar figurat e shquar historike, të cilat janë vlera mbi të cilat është ndërtuar kombi ynë. Tentimi i interpretimit të historisë mbi baza fetare është çështje e tejkaluar nga Rilindësit tonë të shquar. BIK mbetet e përkushtuar në kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit, harmonisë e respektit si vlerat të kombit tonë e si mësime të fesë islame dhe feve të tjera të popullit tonë”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

XS
SM
MD
LG