Lidhje

BIK dënon djegien e flamurit të ISIS me simbole islame


Bashkësia Islame e Kosovës dënoi djegien e flamurit të përdorur nga organizata e shpallur terroriste e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë (ISIS) të hënën në Prishtinë, ndërsa tërhoqi vërejtjen se ai flamur po keqpërdoret nga ajo organizatë.

Të hënën, përfaqësues të Rinisë Demokratike, forum i të rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës, dogjën në Prishtinë flamurin e ISIS-it.

Ndaj këtij veprimi reagoi të martën Bashkësia Islame e cila tha se djegia e "flamurit" në të cilin është edhe dëshmia islame - shehadeti, është veprim i papranueshëm dhe në kundërshtim me traditën e tolerancës e mirëkuptimit.

Është e vërtetë që ky flamur padrejtësisht po keqpërdoret nga ISIS, organizatë terroriste e cila vepron gjoja në emër të myslimanëve. Mirëpo kjo assesi askujt nuk i jep të drejtë që të përdhosë simbolet islame apo të çfarëdo feje tjetër. Me kohë e kemi thënë dhe e kemi sqaruar se ISIS, nuk vepron sipas mësimeve islame dhe as që është zgjedhur e mandatuar nga myslimanët për përfaqësim. Jemi të bindur që veprimet e tyre shpejt do të marrin përgjigjen adekuate nga populli i Irakut dhe i Sirisë në bashkëpunim me botën demokratike”.

Në reagim u bëhet thirrje të rinjëve që “të jenë të kujdesshëm e të matur në veprimet e tyre dhe mos të bien pre e fushatave që më shumë mund të sjellin debate, konfuzion e paqartësi sase qëllimi i tyre për distancim nga veprimet e ISIS. Rikujtojmë se në emër të distanicimit nga ISIS, është e papranueshme nëpërkëmbja dhe përdhosja e simboleve islame”.

Bashkësia Islam shprehet e bindur se “këta të rinj nuk kanë dashur që të djegin dëshminë "Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është i dërguar i tij", por kanë dashur të djegin fotografinë e kriminelit Bagdatit dhe krimet e tij mbi popullatën e pafajshme. Ne si popull solidarizohemi me vuajtjet e popullatës civile në Irak e Siri, dhe në të njëjtën kohë dënojmë veprimet kriminale të asaj që quhet ISIS”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Po, sot një grup i të rinjëve, anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës i thanë në një takim kryetarit të Bashkësisë Islame Naim Tërnava se veprimtaria e së hënës “nuk kishte qëllim të ofendimit të ndjenjave fetare të besimtarëve mysliman në Kosovë dhe as thënieve të shenjta për islamin”.

Në një njoftim për medie thuhet se synim i veprimit ishte “kundërshtimi i terrorit dhe akteve terroriste të grupit ISIS në rend të parë kundër fëmijëve dhe grave që i bëjnë në kundërshtim me parimet e fesë islame”.

Javë më parë autoritetet në Kosovë arrestuan mbi 40 shqiptarë nën dyshimet për përfshirje në radhët e organizatave tashmë të shpallura terroriste nga komuniteti ndërkombëtarë, Al Nusra dhe ISIS.

Shërbimet e zbulimit thonë se mbi 100 qytetarë të Kosovës mund të jenë të përfshirë në luftërat në Lindjen e Mesme, ndërsa të paktën 16 prej tyre janë vrarë në ato luftëra

XS
SM
MD
LG