Lidhje

BIK: Të mos politizohet arrestimi i imamëve


Bashkësia Islame e Kosovës beson në pafajësinë e imamëve të saj të arrestuar një ditë më parë. Kërkon që të respektohen vendimet e organeve të drejtësisë.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës është shprehur e shqetësuar me lajmin për shoqërimin dhe më pastaj edhe ndalimin disa imamëve të saj të mërkurën në një operacion të policisë së Kosovës. Nëpërmjet një komunikate, kryesia e Bashkësisë Islame shpreh besimin “në pafajësinë e tyre, përderisa organet e drejtësisë nuk e dëshmojnë të kundërtën”.

Të mërkurën policia e Kosovës ndërmori një operacion të gjerë për arrestimin e personave të dyshuar, për “vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Gjatë këtij operacioni janë bastisur gjashtëmbëdhjetë vende dhe janë arrestuar pesëmbëdhjetë persona, pjesa më e madhe imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Në reagimin e kësaj bashkësie thuhet se ajo “e bazon punën dhe veprimtarinë e saj në parimet hyjnore islame, andaj ne besojmë se edhe ligjërimet e imamëve në xhamitë tona janë zhvilluar në këtë frymë. Institucioni i Xhamisë te ne historikisht ka luajtur rol pozitiv në edukimin dhe fisnikërimin e popullatës sonë, po ashtu xhamitë kanë pasuar rol determinues edhe në zhvillimet e rëndësishme të popullit dhe vendit tonë. E ripërsërisim nuk prejudikojmë fajësinë, po në të njëjtët kohë jemi kundër fushatës që demonizon institucionin e imamit dhe xhamive pa folur drejtësia, andaj edhe njëherë apelojmë që të presim verdiktin e organeve të drejtësisë”.

Bashkësia Islame u bën thirrje të gjithë qytetarët, e posaçërisht besimtarëve që “me qetësi e maturi të presin vendimin e organeve të drejtësisë, larg çdo politizimi e polarizimi, tendence e keqkuptimi. Kontributi më i mirë për vendin, shtetin dhe fenë tonë, në këtë situatë të krijuar, është qetësia dhe besimi në institucionet e vendit. Bashkësia Islame e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të mbrojë dhe të prezantojë të drejtat dhe vlerat e besimtarëve islam në përputhje me mësimet Kuranore, traditën e Pejgamberit, dhe me rendin kushtetues të vendit tonë”.

Në reagim, Bashkësia Islame e Kosovës, shprehte e përkushtuar në kultivimin dhe interpretimin e mësimeve islame për paqe, respekt, tolerancë e mirëkuptim, larg urrejtjes, ekstremizmit dhe dhunës.

Populli ynë është shquar për urtësi, mirëkuptim, maturi e pjekuri, respekt dhe përkrahje për tjetrin, virtyte e vlera këto që duhet të reflektojnë dhe të na shoqërojnë edhe në këto momente. Zoti e do paqen dhe njerëzit që e kultivojnë dhe angazhohen për të!”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Arrestimet e së mërkurës, ishin pjesë e operacioneve të filluara gjatë muajit të kaluar kur u arrestuan mbi 40 persona nën dyshimet për përfshirje në luftimet në Siri dhe në Irak përkrah organizatave të shpallura terroriste, rekrutim për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes e mosdurimit kombëtar, racor e fetar.

XS
SM
MD
LG