Lidhje

Jahjaga kërkon mbështetje ndërkombëtare për zgjedhjet


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u kërkoi diplomatëve euro perëndimorë të vëzhgojnë zgjedhjet parlamentare ndërsa OSBE-së ndihmë të veçantë në veri të vendit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u bëri thirrje diplomatëve euro perëndimorë që të ndihmojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira parlamentare të tetë qershorit.

Presidentja Jahjaga i bëri këto thirrje në një takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë së Madhe të akredituar në Kosovë për të diskutuar për procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Në një njoftim të zyrës së saj thuhet se presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë, të lirë dhe demokratik për të ndihmuar në përmbushjen e vizionit evropian të Kosovës, dhe shtoi se tashmë i ka drejtuar ftesë shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, që të dërgojë në Kosovë një mision vëzhgues të zgjedhjeve.

Ajo po ashtu inkurajoi ambasadat e akredituara në Kosovë që të marrin pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve, për të siguruar një proces transparent dhe një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në nivel vendi, thuhet në njoftim.

Presidentja Jahjaga, diskutoi çështjen e zgjedhjeve edhe me shefin e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Jean-Claude Schlumberger. Në një njoftim thuhet se ajo e vlerësoi angazhimin dhe ndihmën e OSBE-së, e cila ka një përvojë të mirë dhe një përgatitje të nevojshme teknike të ndihmojë procesin që do të organizohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ajo tha se misioni i OSBE-së sërish do të mund të ndihmojë procesin, përmes zyrtarizimit të përkrahjes për KQZ-në për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në komunat në veri të territorit të Kosovës dhe mbështetjes në aspektet e tjera të zgjedhjeve të parakohshme.
XS
SM
MD
LG