Lidhje

Kosovë: Opozita propozon tri rrugë për normalizimin e situatës


Partitë opozitare thanë se pushteti duhet të anulojë marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, të shpallë referendum ose të shpallen zgjedhjet e parakohshme

Në Kosovë, partitë opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, refuzuan t’i përgjigjen ftesës së kryeministrit Isa Mustafa për takim, ndërsa shkuan në zyrën e presidentes Atifete Jahjaga për të diskutuar rrugët e tejkalimit të situatës politike.

Që nga 22 shtatori partitë opozitare kanë bllokuar punën e parlamentit duke kërkuar anulimin e marrëveshjes së arritur me Beogradin për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Ata i paraqitën këto kërkesa edhe në takimin me presidenten duke kërkuar edhe lirimin e deputetëve të opozitës që janë arrestuar ose mbahen në arrest shtëpie lidhur me veprimet e tyre në parlament, ku në disa seanca u hodh edhe gaz lotsjellës.

Kosovë: Opozita propozon tri rrugë për normalizimin e situatës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Në takim me presidenten Jahjaga, ata thanë se mundësia e parë për tejkalimin e situatës “është anulimi i marrëveshjeve. Nëse kjo nuk ndodhë atëherë të shpallet referendum dhe nëse as kjo nuk realizohet, atëherë Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”

Kryeministri Mustafa u ka bërë thirrje partive opozitare që të hapin dialogun, ndërsa është zotuar se do të pres dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, zbatimi i së cilës është pezulluar në pritje të këtij vendimi.

Ai po ashtu tha se qeveria është e gatshme që të angazhojë një grup ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët, së bashku me përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror dhe përfaqësuesit e spektrit opozitar, do të kenë qasje të plotë në procedurën dhe tërë dokumentacionin e shfrytëzuar, lidhur me shënimin e vijës kufitare më Malin e Zi dhe se deri në përmbylljen e këtij procesi, qeveria nuk do ta dërgonte marrëveshjen për ratifikim në parlament.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat pritet të hapen javën që vjen, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së të mërkurës në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG