Lidhje

Jahjaga: Kosova është në krizë të thellë politike dhe morale


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha në fjalimin e saj vjetor në parlament se pushteti dhe opozita duhet të kërkojnë në dialog rrugëdaljen nga kriza e rëndë politike.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha të enjten se Kosova është kapluar nga një krizë e thellë politike dhe morale, që ka sfiduar rëndë edhe rendin e ligjin. Në fjalimin vjetor në parlamentin e Kosovës ajo tha se zgjidhja e krizës është në dialogun ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

Fjalimi i saj pason një periudhë tensionesh në parlamentin e Kosovës seancat e të cilit u përshkuan me gaz lotsjellës e skena dhune gjatë protestave të opozitës kundër marrëveshjes së arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Ajo tha se qytetarët e Kosovës u shndërruan në spektatorë të një tensionimi të skajshëm, të një tronditjeje të thellë, të një dhune të pashembullt dhe një arrogance të paparë në historinë e re të vendit.

Presidentja Jahjaga tha se shqetësimet me marrëveshjet janë të natyrshme, për shkak të rëndësisë që kanë edhe për funksionimin e Kosovës si shtet dhe se për tejkalimin e situatës ka propozuar plan konkret duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ne të gjithë mund të kemi mendim për Asociacionin, të kontekstit që e ka jetësuar atë, por Gjykata Kushtetuese, e krijuar dhe e votuar nga ky parlament, është instanca e vetme kompetente që të bëjë interpretim ligjor të parimeve të asociacionit. Ne duhet t’iu besojmë institucioneve që i kemi krijuar vet dhe ato t’i mveshim me fuqinë që të marrin vendime të pavarura, të shkëputura nga frustrimi i përditshmërisë dhe nga gjuha e ashpër që po e karakterizon këtë realitet sot”.

Ajo tha se ka propozuar një komision ekspertë të huaj, që do të bëjnë vlerësimin e procesit të shënimit të kufirit me Malin e Zi. Ajo tha se këto propozime janë edhe një sprovë për zotësinë e klasës politike të Kosovës që në rend të parë të vendosë interesin e vendit.

“Forcën e argumentit nuk mund ta zëvendësojë gazi lotsjellës. As demokracinë tonë nuk mund ta reduktojmë në numra. Niveli i demokracisë tonë dhe kualiteti i saj do të përcaktohen nga dialogu mes pozitës dhe opozitës”, tha presidentja Jahjaga.

Mungesa e këtij dialogu, tha ajo, rrezikon të zhbëjë parimin themelor të jetës politike, ta delegjitimojë vendimmarrjen dhe ta bëjë të pasuksesshme përpjekjen për të krijuar vend ku sundon ligji për të gjithë.

Besoj që tash e kemi të qartë që asnjëra palë nuk do të korrë fitore. Dhunën nuk do ta shndërrojmë në mjet politik, sepse në atë mënyrë do ta zhbëjmë, do ta rrënojmë Kosovën. Por, njëkohësisht, askush nuk e gëzon të drejtën e arbitrit në Kosovë. Rruga jonë përpara duhet të trasohet me dialog të brendshëm, me strategji të qartë për të avancuar proceset tona integruese, si në raport me etnitë e tjera, qytetarë të Kosovës, ashtu edhe me vendet fqinje dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që qëndruan pranë nesh në periudhën tonë më të errët. Investimi ynë është i përbashkët”.

Ajo tërhoqi vërejtjen se zhvillimet në Kosovë janë duke e sprovuar rëndë përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën dhe po lëkundin besimin e miqve të saj. Klasa politike tha ajo po vazhdon pa përmirësim ta sprovojë rëndë besimin dhe durimin e qytetarëve.

Ajo tha se bisedimet më Serbinë janë të domosdoshme që Kosova të rivendosë sovranitetin mbi tërë territorin e saj dhe për ta ruajtur tërësinë e saj tokësore por edhe si kusht për integrimet evropiane. Por, ajo tha se duhet një konsensus më i gjerë që do të siguronte subjektivitet më të fuqishëm në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Ne duhet të insistojmë në qartësi nga partnerët tanë. Duhet ta definojmë deri në detaj se çfarë nënkuptojmë me normalizim. Dhe që një gjë të tillë ta shpjegojmë e argumentojmë para qytetarëve tanë. Të jemi më të qartë në kërkesat tona. Më aktiv se çfarë duam ne nga ky dialog. Ta përcaktojmë rendin e ditës – për të zhdukurit, për fondin e vjedhur pensional. Të mendojmë për reparacionet nga dëmet e shkaktuara nga lufta. Dhe, në fund, të gjithë neve na duhet më shumë transparencë e debat konstruktiv publik mbi procesin e dialogut”.

Presidentja Jahjaga vuri theksin edhe tek mungesa e zhvillimit ekonomik, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kosova tha ajo duhet të jetë e vëmendshme edhe ndaj kërcënimeve për sigurinë e saj, përfshirë përballjen me përpjekjet e rrymave terroriste që të shtrijnë ndikimin e tyre, duke vazhduar rekrutimin e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkangjitur kauzave të rrejshme dhe terroriste në Siri dhe në Irak.

Fjalimi i presidentes Jahjaga, i fundit në parlament në mandatin e saj që përfundon vitin që vjen, nuk u ndoq nga deputetët e partive opozitare, të cilat sot protestuan në qytetin e Malishevës në Kosovën qendrore kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG