Lidhje

Presidentja e Kosovës takon Papa Françeskun


Në një takim me Papa Françeskun, presidentja Atifete Jahjaga bëri thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan në audiencë private nga Papa Françesku.

Në një njoftim të presidencës thuhet se ajo në një takim mbi 40 minutësh e njoftoi mikpritësin e saj për zhvillimet në Kosovë dhe shfaqi shpresën për njohje të pavarësisë së saj nga Vatikani, duke vlerësuar siç thuhet, rolin mbështetës të Selisë së shenjtë për Kosovën në periudhat e rënda të historisë së saj.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot, si një shtet i ri në Evropë, ka kaluar nëpër një histori të rëndë të represionit dhe të spastrimit etnik dhe se në themelet e ndërtimit të saj ajo ka sakrificën individuale dhe kolektive. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova sot është e njohur nga 108 shtete të botës, duke shfaqur shpresën se edhe Selia e Shenjtë do të vendos që ta mbështes vizionin e një Kosovë të pavarur dhe demokratike.

Presidnetja Jahjaga, tha se Kosova sot është një shtet laik por gjithashtu edhe një rrëfim frymëzues i harmonisë ndërfetare dhe i barazisë ndërmjet të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Ajo tha se pas përfundimit të luftës në përpjekje për të ruajtur karakterin shumetnike dhe shumkulturor, Kosova ka garantuar të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe gjithashtu ka vazhduar ta forcojë dialogun ndërfetar, duke u mundësuar udhëheqësve të të tri besimeve të ndërtojnë marrëdhënie të ngushta ndërmjet vete.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot shënon një rrëfim suksesi të përbashkët të popullit dhe të institucioneve ë saj si dhe të bashkësisë ndërkombëtare, si një faktor i rëndësishëm i paqes e qëndrueshmërisë dhe nxitëse e fqinjësisë së mirë, duke hapur rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, për të cilën ka konsensus të plotë të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes së Kosovës.

XS
SM
MD
LG