Lidhje

Jahjaga: Të respektohet autonomia e institucioneve të shtetit


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se hapat e mëtejmë për ndërtimin e institucioneve do të jenë në pajtim me ligjet dhe kushtetutën.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga bëri thirrje sot për vetëpërmbajtje të forcave politike në vend dhe respektim të autonomisë së institucioneve të shtetit.

Komentet e saj pasuan kritikat e disa prej drejtuesve të partive politike për siç është thënë mosveprim të presidentes kundruall zhvillimeve politike në vend që po përcjellin procesin e krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetë qershorit.

Në një deklaratë të zyrës së presidentes Jahjaga thuhet se ajo “në asnjë moment nuk ka qëndruar indiferente ndaj zhvillimeve që po ndodhin në skenën politike dhe në asnjë mënyrë nuk i ka anashkaluar ato. Në një situatë të polarizimeve të skajshme politike, duke bërë thirrje për qetësi dhe për pjekuri politike të secilës palë, në respektim të votës së qytetarëve të vendit, zyra e presidentes kërkon zbatim të normave demokratike dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët si dhe respektim të autonomisë së institucioneve të shtetit”.

Në komunikatë thuhet se ajo do të vazhdojë pandërprerë që të sigurojë ndërtimin e një procesi të besueshëm, duke garantuar funksionimin demokratik të institucioneve.

Në demokracitë parlamentare ndërhyrjet e një institucioni në çështjet e institucioneve të tjera konsiderohen shkelje të ndarjes së pushteteve dhe të Kushtetutës, që në çdo rast do të shiheshin si veprime jashtë mandatit dhe kompetencave të Presidentes së vendit. Kuvendi i Kosovës, me deputetët që janë betuar, duhet të gjejë forcën, kurajën dhe guximin për të ndihmuar në radhë të parë vetveten, për ndërtimin e një institucioni jashtëzakonisht të nevojshëm për këtë periudhë kohore, nëpër të cilën po kalon vendi.

Proceset e nisura në Gjykatën Kushtetuese, gardianit të Kushtetutës së vendit, duhet të ndihmojnë në ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe në ndërtimin e një shteti ligjor, dhe vendimet e këtij institucioni të pavarur gjyqësor duhet të respektohen dhe zbatohen në plotëni nga të gjithë”.

Në komunikatë ritheksohet fakti se “vendimi për hapat e mëtejmë në ndërtimin e institucioneve të vendit, pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, do të bëhet në përputhje me normat ligjore, duke respektuar çdo afat të përcaktuar me Kushtetutë dhe duke mos cenuar të drejtën e asnjë pale në proces. Zyra e presidentes i garanton të gjithë qytetarët e vendit, në përgjithësi, dhe të gjitha subjektet politike në veçanti, se ajo do të ndikohet vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila do të respektohet dhe zbatohet në tërësi, në çdo kohë, në çdo rast dhe në çdo mënyrë”, përfundon komunikata.

Më 23 korrik, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masën e përkohshme me të cilën pezullohet vendimi për zgjedhjet e kryetarit të Parlamentit të Kosovës.

Parlamenti i Kosovës më 17 korrik u mblodh në seancën e parë pas zgjedhjeve të parakohshme të tetë qershorit. Në atë seancë kryetari i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa u zgjodh kryetar, por pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila më pas kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi që ishte votuar nga 83 deputetë të Parlamentit.

Gjykata tha se ka miratuar masën e përkohshme deri në publikimin e vendimit përfundimtar dhe jo më vonë se 18 shtator 2014 nga nxjerrja e këtij vendimi.

Me atë masë u pezullua menjëherë vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit dhe ju kërkua atij që të përmbahet nga çdo veprim deri në vendimin përfundimtar të gjykatës, thuhet në njoftimin për masën e përkohshme.

Partia Demokratike e Kosovës, doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke fituar 37 vende në parlamentin 120vendesh të Kosovës. Përfaqësues të saj thonë se ajo mbetet grupi më i madh parlamentar dhe si i tillë ka të drejtën kushtetuese që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, sikurse edhe drejtimin e qeverisë së re.

Por, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar dhe me këtë ata siguruan një grup prej 47 deputetësh. Duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje, ata pretendojnë se u takon posti i kryetarit të parlamentit dhe kanë numrat e mjaftueshëm edhe për ngritjen e qeverisë së re, nëse këtë nuk mund ta bëjë Partia Demokratike.

Në fund të qershorit Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi vendimin lidhur me kërkesën e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, mbi rolin e saj kushtetues në formimin e qeverisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese është Partia Demokratike e kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi ajo e cila merr e para mundësinë për formimin e qeverisë.

Vëzhguesit thonë se në rast të dështimit të Partisë Demokratike për të siguruar shumicën e nevojshme në Parlament, çështja në masë të madhe do të mbetet në duart e presidentes e cila duhet të vlerësojë se kush mund të ketë këtë shumicë për të emëruar mandatarin e ri.

Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje, janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës, për t’i pamundësuar asaj formimin e qeverisë.

Pezullimi i zgjedhjes së kryetarit, rrjedhimisht pezullon edhe procesin e formimit të qeverisë së re e cila duhet të votohet në parlament.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG