Lidhje

Jahjaga: Kosova nuk do të jetë burim i ekstremizmit


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka diskutuar me drejtuesit e institucioneve të sigurisë mbi “kërcënimin nga ekstremizmi dhe radikalizmi në vend”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha të mërkurën se Kosova në asnjë moment nuk do të lejojë që të bëhet burim i ekstremizmit e strehimore e kriminelëve që nxisin terror dhe urrejtje. Komentet e saj të transmetuara në një komunikatë për medie, pasuan një takim me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë së Kosovës për të diskutuar siç thuhet “kërcënimin nga ekstremizmi dhe radikalizmi në vend dhe masat e ndërmarra nga këto institucione për të parandaluar dhe luftuar këtë dukuri të papranueshme”.

Në komunikatë thuhet se presidentja Jahjaga ka kërkuar prej këtyre institucioneve që të trajtojnë me përparësi “këtë kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës, rajonit dhe më gjerë dhe në bashkëpunim me partnerët strategjik të parandalojnë që Kosova të bëhet eksportuese e këtij kërcënimi global”.

Presidentja Jahjaga citohet të ketë thënë se “Kosova në asnjë moment nuk do të lejojë që të bëhet burim i ekstremizmit e strehimore e kriminelëve që nxisin terror dhe urrejtje. Ajo i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës e komunitetet fetare që të bashkëpunojnë me autoritetet vendore dhe mekanizmat e sigurisë për t’i përndjekur penalisht individët që qëndrojnë prapa këtyre përpjekjeve për të destabilizuar Kosovën dhe traditën e saj të gjatë të harmonisë ndërfetare. Është përgjegjësi e jona si institucione dhe si shoqëri t’i dënojmë këto dukuri të shëmtuara. Ne duhet të distancohemi nga këto akte mizore të kriminelëve dhe ata duhet t’i denoncojmë dhe t’i trajtojmë si të tillë”, thuhet në komunikatë.

Ndonëse në njoftim nuk janë dhënë hollësi, duket se takimi i presidentes Jahjaga me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë, pasoi publikimin në rrjete sociale të fotografive të një shqiptari nga Kosova duke ekzekutuar me heqje koke një person diku në Irak apo në Siri.

Burimet lokale e kanë identifikuar autorin si Lavdrim Muhaxhiri nga komuna e Kaçanikut në Kosovën Juglindore.

Agjencitë e zbulimit thonë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndërsa askush nuk ka numra të saktë të tyre. Një numër i tyre besohet se mund t’i jenë bashkuar formacioneve të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit.

Në pranverën, parlamenti i Kosovës miratoi në parim një projektligj që ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG