Lidhje

Kosovë: Jamie Shea: Debati duhet të bëhet në parlament


Ish zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, aktualisht ndihmës sekretar i NATO-s, tha të enjten në Prishtinë se debatet duhet të zhvillohen në parlament e jo jashtë tij.

Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie në kolegjin AAB në Prishtinë, ku u nderua me çmimin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut “për kontributin e dhënë në ndihmën, përkrahjen dhe shpëtimin e refugjatëve dhe popullatës civile në Kosovë gjatë periudhës mars – qershor 1999”.

Zoti Shea u shpreh i prekur nga lidhja qe ruajnë qytetarët e Kosovës me periudhën e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe misionin e KFOR-it. Duke perifrazuar filozofin francez Voltaire, se "çdo njeri ka dy shtëpi", ai tha se për të janë dy po ashtu, "një në Kosovë dhe një në Mbretërinë e Bashkuar".

Ai ritheksoi përkushtimin e NATO-s për paqen dhe sigurinë në Kosovë. "Më lejoni t;u garantojë se për aq kohë sa do të keni nevoje për në që t'u ndihmojmë për ta bërë lirinë, demokracinë dhe përparimin tuaj edhe më të përsosur, ne do të jemi këtu që t'ju ndihmojmë", tha ai.

Ai tha se në botë aktualisht ka ende shume vuajtje duke përmendur konfliktet në Lindjen e Mesme dhe situatën në Krime dhe gjetiu.

Çështja e të drejtave të njeriut është punë e papërfunduar, tha ai, "Sot mund të kremtohet puna e kryer mirë në vitin 1999 kur u ndalua situata, që unë besoj që pa ndërhyrjen e NATO-s, mund të çonte në situata tragjike si në Bosnjë, në Srebrenicë edhe në masakrat tjera të tmerrshme. Prandaj, jam krenar që NATO-ja mësoi nga Bosnja dhe ndërhyri shpejt dhe me vendosmëri, asisoj që nuk mund të ndalnim vuajtjet, por të paktën i kufizuam kundruall asaj që mund të ndodhte".

Zoti Shea tha se një nga arsyet që ende është shumë i ngazëllyer me pavarësinë e Kosovës dhe faktin që NATO-ja bëri punë të mirë në vitin 1999, është edhe, siç tha besimi i tij se Kosova do të jetë vend madhështor.

"Nuk duhet të jeni vend i madh për të qenë madhështor", tha zoti Shea duke theksuar se është punë e vështirë të ndërtohet një demokraci e përkryer në vetëm tetë vjet. Por, Kosova, tha ai, mund të bëjë me shumë, duke përmendur rastet si Singapori apo Koreja Jugore, të cilat siç tha në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar, të ardhurat individuale ishin baras me Egjiptin dhe Nigerinë. Në ditët e sotme tha ai, të dyja këto vende kanë 20 herë më shumë të ardhura për kokë banori sesa Egjipti dhe Nigeria.

"E tëra është bërë nga udhëheqësit e mirë që luftuan korrupsionin. Është bërë nga politikat e mira demokratike që nënkupton argumente të mira, por debatet janë bërë brenda parlamentit, jo jashtë tij. Dhe debatet janë bërë nga njerëzit me argumentet më të mira dhe jo megafonat më të mëdhenj", tha mes tjerash zoti Shea, duke nënvizuar se Kosova është e pavarur dhe është përgjegjësi e saj dhe askush tjetër nuk mund të fajësohet nëse gjërat shkojnë keq.

"Sa më shumë që përmbushni reformat thelbësore dhe u shtrini dorën fqinjëve, pavarësisht sa e vështirë është, aq më e lehtë do të jetë për ë gjithë ne që t'u ndihmojmë ta bëni Kosovën Singaporin evropian të së ardhmes", tha zoti Shea, i cili në Kosovë gëzon një simpati të posaçme për shkak të rolit të tij si zëdhënës i NATO-s gjatë bombardimeve të saj kundër objektivave serbe në vitin 1990, por edhe qëndrimit të tij në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, pa të cilën kishte deklaruar ai para shpalljes së saj, misioni i NATO-s nuk mund të quhej i përfunduar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG