Lidhje

Kosovë: Solidarizim me viktimat e sulmit në Paris


Gazetarët në Kosovë mbajtën tubim në shenjë nderimi për viktimat e sulmit në Paris. Sulmin e dënoi edhe Bashkësia Islame e Kosovës

Me moton “Je suis Charlie”, (Unë jam Charlie), gazetarët në Kosovë ju bashkuan sot tubimeve përkujtimore gjithandej në nderim të viktimave të sulmit të së mërkurës në revistën franceze Charlie Hebdo, që la pas vetes 12 të vrarë.

Kryetari i Asociacionit të gazetarëve të Kosovës, Zekiria Shabani tha se sulmet e tilla që synojnë të godasin fjalën e lirë, do të dështojnë.

Kjo është një ditë e dhimbshme për ne dhe me fjalë nuk mund të përshkruhet ajo çfarë ndjejmë për kolegët tanë. Në solidarizohemi me ta. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se sulmi i djeshëm dhe çfarëdo sulmi ndaj mediave, ndaj gazetarëve, është një përpjekje e dështuar për ta mbytur fjalën e lirë”, tha zoti Shabani.

Veprimtarisë së gazetarëve ju bashkua edhe zëvendës ambasadorja e Francës në Kosovë, Lise Motomalaya e cila tha se do të donte të falënderonte të gjithë njerëzit posaçërisht në Kosovë, për shprehjen e solidaritetit më viktimat dhe familjet e tyre.

Në ambasadën franceze u hap një libër zie.

Mbrëmjen e së mërkurës në qendër të Prishtinës janë ndezur qirinj ndërsa sulmin e kanë dënuar udhëheqësit më të lartë të institucioneve por edhe partive politike në Kosovë. Në reagime theksohet mbështetja për Francën, ndërsa sulmi cilësohet si akt i drejtuar kundër vlerave të lirisë, demokracisë e fjalës së lirë.

Sulmin e ka dënuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës. Duke ngushëlluar ambasadoren franceze në Prishtinë, Bashkësia Islame e dënon ashpër “këtë akt terrorist kundër qytetarëve të pafajshëm. Vlerat njerëzore në përgjithësi, toleranca e bashkëjetesa mes të ndryshmëve në origjinë, bindje apo dhe përkatësi fetare dhe liria e fjalës në veçanti, janë institucione të cilat qëndrojnë në themel të së sotmes dhe të ardhmes se përbashkët evropiane”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

XS
SM
MD
LG