Lidhje

“Gazetarët pa kufij” – të shqetësuar për lirinë e medies në Kosovë


Shoqatat ndërkombëtare dhe vendase reagojnë ndaj njoftimeve për sulme e kërcënime ndaj gazetarëve

Organizata ndërkombëtare “Gazetarët pa kufij” reagoi ndaj njoftimeve se një redaktor i gazetës së përditshme “Tribuna” në Prishtinë është sulmuar nga pronari i kësaj gazete.

Në një komunikatë të kësaj organizate thuhet se pronari i gazetës Tribuna Sejdi Demiri, fizikisht ka sulmuar njërin prej gazetarëve të tij, Zekirja Shabani, pasi që zoti Shabani, si kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, paralajmëroi se do ta padisë gazetën për dështimin që ta paguajë personelin e saj në kohë.

Sulmi ndodhi kur zoti Demiri thirri zotin Shabani në zyrën e tij dhe u përpoq ta detyrojë atë të nënshkruaj një dokument për ndërprerjen e kontratës së tij. Shabani kishte refuzuar për shkak se ajo dukej të jetë një hakmarrje për veprimtarinë e tij si kryetar i Asociacionit.

"Ishte në këtë pikë kur Sejdi Demiri u bë agresiv", ka thënë Shabani. "Ai përdori gjuhë të dhunshme dhe pastaj papritmas më sulmoi fizikisht".

Zoti Shabani menjëherë shkoi në stacionin policor për të raportuar sulmin dhe policia tani po kryen hetime.

“Tensionet janë rritur në mes të shumë gazetarëve dhe punëdhënësve në Kosovë në kohën kur për rënie të lirisë së medieve si fajtorë shihen të ardhurat e papërshtatshme të organizatave të lajmeve”, thuhet në komunikatën e “Gazetarëve pa kufij”.

Në një konferencë për shtyp ditë më parë të organizuar për të njoftuar se AGK kishte nënshkruar një marrëveshje me një kompani ligjore që të përfaqësojë gazetarët të cilët nuk janë duke u paguar, Shabani tha se ai do të ishte "i pari që të padisë një punëdhënës të padrejtë", duke shtuar se ai kishte planifikuar të padisë gazetën Tribuna, që nuk kishte paguar atë për dy muaj.

Në një deklaratë pas sulmit, Asociacioni tha se “në një vend ku sulmohet kryetari i zgjedhur i komunitetit të gazetarëve, njëherësh redaktori i një gazete, për shkak të ngritjes së zërit ndaj padrejtësive që i bëhen në vendin e punës, dëshmon për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen gazetarët dhe për shkeljen e të drejtave të tyre njerëzore e profesionale në Kosovë”.

Pronari i gazetës Tribuna, Sejdi Demiri, ka mohuar njoftimet për sulm ndaj gazetarit Shabani.

Të martën Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u shpreh i shqetësuar me njoftimet se zëvendëskryeredaktori i portalit "Indeksonline", Artan Haraqija është kërcënuar lidhur me një shkrim të publikuar në këtë portal rreth angazhimit të një qytetari nga Kosova në luftën e Sirisë.

Në njoftim thuhet se kërcënuesi, përmes një mesazhi telefonik ka paralajmëruar gazetarin Haraqija që nëse nuk e tërheq shkrimin nga portali brenda tri ditëve, do të ketë pasoja edhe ndaj familjes së tij. Kjo është hera e dytë që gazetari Haraqija kërcënohet për shkrime të kësaj natyre.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin dhe ka paralajmëruar se i ka ndërmarr të gjitha masat për hetimin e rastit.

Asociacioni i Gazetarëve dënon ashpër këtë rast dhe kërkon nga organet e rendit që ta trajtojnë seriozisht këtë çështje. Asociacioni konsideron se kjo formë e kërcënimit dhe shantazhit është e patolerueshme dhe cenon rëndë lirinë e medies. “Tendenca e tillë për të marr ligjin në duar dhe për t`ju shmangur rrugëve ligjore për zgjidhjen e kontesteve, është dëshmi për gjendjen e rëndë me të cilën përballen gazetarët gjatë ushtrimit të profesionit të tyre”, thuhet në njoftim.

Kosova renditet e 80 nga 180 vende në treguesin e lirisë së shtypit për vitin 2014 të “Gazetarëve pa kufij.

XS
SM
MD
LG