Lidhje

Gazetarja e "Kosova Sot" – shoqërohet në polici


Policia tha se me kërkesë të prokurorit, një person është shoqëruar dhe ndaj tij është hapur rasti për “regjistrim të paautorizuar”.

Një shoqatë e gazetarëve në Kosovë reagoi ndaj njoftimeve për shoqërimin disaorësh në polici të gazetares së të përditshmes “Kosova Sot”, Etleva Skonja.

Gazeta bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur derisa gazetarja Skonja ndodhej në zyrën e Prokurorit Disiplinor, ku po trajtonte një çështje lidhur me funksionimin e asaj zyreje. Policia tha se “me kërkesë të prokurorit, një person është shoqëruar në stacionin e policisë dhe atje është hapur rasti për regjistrim të paautorizuar”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, regjistrimi i paautorizuar është i ndaluar dhe vepër e dënueshme.

Gazeta “Kosova sot” mohoi një gjë të tillë duke e vlerësuar shoqërimin disa orësh në polici të gazetares si një “shkelje flagrante të lirisë së shtypit, shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare dhe një abuzim i organeve të drejtësisë”.

Prokuroria nuk ka komentuar njoftimet, ndërsa rasti nxiti reagimin e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, i cili dënon ashpër sic thuhet, “veprimin abuzues të prokurorit”.

Kjo shoqatë e gazetarëve e konsideron këtë akt si “shkelje të të drejtave themelore të njeriut, shkelje të lirisë së shtypit dhe demokracisë”.
XS
SM
MD
LG