Lidhje

Kosovë: Dënohen sulmet ndaj gazetarit Berat Buzhala


Në Kosovë janë shënuar reagime në shkallë të gjerë ndaj fyerjeve që i janë bërë gazetarit të “Gazetës Express” Berat Buzhala, pas një serie shkrimesh ndaj një kompanie private

Përfaqësues të lartë institucionesh, shoqata të gazetarëve e përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, dënuan të hënën fyerjet ndaj gazetarit të “Gazetës Express” Berat Buzhala.

Reagimet pasuan shfaqjen e disa panove ofenduese ndaj gazetarit Buzhala, të nënshkruara nga kompania private “Devolli Corporation”. Zoti Buzhala ka publikuar disa shkrime për këtë kompani, duke e akuzuar për keqpërdorim në importimin e grurit dhe duke hedhur dyshime mbi cilësinë e tij.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u shpreh “i shqetësuar lidhur me fushatën ofenduese të kompanisë “Devolli Corporation”, kundër gazetarit të gazetës “Express”, Berat Buzhala, duke i kërkuar asaj largimin sa më të shpejtë të panove.

Asociacioni e cilëson fyerje të rëndë për gazetarët dhe të papranueshme për një shoqëri demokratike fushatën ndaj zotit Buzhala.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke e dënuar siç thuhet, këtë “veprim të pa dinjitetshëm ndaj gazetarit Berat Buzhala”, vlerëson se liria e shprehjes është e drejtë universale dhe e patjetërsueshme e njeriut.

“Sundimi i ligjit është thelbi i çdo shoqërie dhe askush nuk mund të ngrihet mbi të, pavarësisht pretendimeve për pozitën në shoqëri”, thuhet në reagimin e presidentes në faqen e saj në rrjetin social Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thekson se “sulme të tilla ndaj mediave nuk duhet të ndodhin”.

“Ofendimet në asnjë rast nuk janë mënyrë e ofrimit dhe argumentimit të së vërtetës para qytetarëve”, thekson ai.

Kundër fyerjeve reaguan edhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli si dhe përfaqësues të partive politike e organizatave joqeveritare.

Ndërkaq, drejtuesit e kompanisë Devolli Corporation mohuan të kenë organizuar fushatën ndaj zotit Buzhala. Në një njoftim për medie thuhet se kjo kompani ka filluar të hulumtojë këtë rast ku është përdorur logoja e kompanisë pa-autorizim dhe me përmbajtje të pa përshtatshme.

“Devolli Corporation siguron opinionin se këto veprime nuk janë në linjë me politikat afariste dhe nuk pasqyrojnë qëndrimin e kompanisë sonë. Devolli Corporation distancohet nga veprimet e tilla dhe inkurajon fjalën e lirë nga kushdo, pavarësisht a është në pajtim me qëndrimet tona. Ne do të mbesim të përkushtuar ndaj punës sonë dhe do të ndjekim vetëm normat etike dhe procedurat gjyqësore nëse vlerësojmë se ndonjë veprim i padrejtë bëhet kundër interesave të kompanisë sonë”, thuhet në reagim.

XS
SM
MD
LG