Lidhje

Kosovë: Dënohen kërcënimet ndaj gazetares Serbeze Haxhiaj


Gazetarja Haxhiaj ka njoftuar se është penguar dhe kërcënuar derisa po punonte në zbulimin e të vërtetave mbi statusin e dëshmorit në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i shqetësuar me njoftimin për kërcënimet e vazhdueshme të disa individëve të deklaruar si ish eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj Serbeze Haxhiajt, gazetare në Radio Kosova.

Në një njoftim të kësaj shoqate thuhet se gazetarja Haxhiaj ka njoftuar se është penguar dhe kërcënuar derisa po punonte në temën që ka për qëllim zbulimin e të vërtetave mbi statusin e dëshmorit në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve kërkon nga organet e rendit që t’i identifikojë sulmuesit dhe ta adresojë këtë çështje sipas ligjit. Ai u bënë thirrje edhe drejtuesve të Radio Kosovës që të garantojnë mjedis të sigurt për gazetarët që punojnë në tema me interes të publikut, në mënyrë që në asnjë rast të mos ndikohet puna e tyre nga kërcënimet që vijnë nga jashtë. Njëherësh AGK do të hulumtoj dyshimet e ngritura nga gazetarja Haxhijaj për censurë pasi hulumtimi ende nuk është transmetuar”, thuhet në njoftim.

Procesi i hartimit të listave nga komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nxitur pakënaqësi, ndërsa komisioni qeveritar pohon se vonesat edhe për publikimin e listave janë pasojë e faktit që mbi 65 mijë veta kanë aplikuar për të fituar statusin e pjesëmarrësit në luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare.

Komisioni, i cili u krijua në janar të vitit të kaluar synon të përcaktojë numrin e saktë të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vërtetojë identitetin e atyre që luftuan dhe dhanë jetën në luftën kundër forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.

XS
SM
MD
LG