Lidhje

Kosovë: Dënohen kërcënimet ndaj gazetarit Leonard Kërquki


Leonard Kerquki
Leonard Kerquki

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë dhe shoqata e gazetarëve të Kosovës, dënuan kërcënimet kundër Leonard Kërqukit, kryeredaktor i Gazetës Express dhe autori i emisionit javor Zona Express, prodhim i kësaj gazete.

Në një edicion të këtij emisioni me titull "Gjahu në UÇK-në", që është transmetuar më 23 tetor, janë trajtuar krimet kundër popullatës lokale serbe. Që nga kjo kohë, gazetari Kërquki është kërcënuar dhe ofenduar në rrjetet sociale.

Ambasadori amerikan në një postim në rrjetin social twitter shkruan se "kërcënimet kundër gazetarëve të Kosovës janë të papranueshme. Mediet e lira janë shtyllë kryesore e çdo demokracie”.

Kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, nëpërmjet një komunikate dënoi " kërcënimet dhe thirrjet për dhunë kundër Kërqukit. Liria e shprehjes duhet të mbështetet dhe të respektohet në të gjitha rrethanat,” tha ai, duke u bërë thirrje autoriteteve të sundimit të ligjit t’i hetojnë kërcënimet menjëherë dhe t’i vënë kryerësit para drejtësisë.

Kërcënimet dhe dhuna kundër gazetarëve përbën sulm ndaj demokracisë dhe shoqërisë si tërësi. Punonjësit e mediave duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të rëndësishme në mënyrë të lirë dhe të sigurt,” citohet të ketë thënë Dunja Mijatoviç, përfaqësuse e OSBE-së për lirinë e medies.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i shqetësuar me kërcënimet ndaj zotit Kërkquki.

"Me shqetësim e kemi pranuar njoftimin se kolegu Kërquki ka pranuar qindra kërcënime me jetë pas transmetimit të emisionit autor i së cilit është pikërisht ai. Është i patolerueshëm fakti kur në qindra komente kërkohet vrasja e Kërqukit si dhe të pjesës tjetër të stafit realizues të emisionit. Po ashtu dënojmë nisjen e një fushate neper rrjetet sociale në të cilat përdoret fotografia e kolegut Leonard Kërquki e që i janë vendosur tre plumba në ballë", thuhet në reagimin e Asociacionit, i cili u bënë thirrje autorëve të emisionit "që t’i denoncojnë të gjitha këto kërcënime në polici duke e siguruar stafin e këtij mediumi se do t’i përcjell në mënyrë të vazhdueshme veprimet e institucioneve të sigurisë".

XS
SM
MD
LG