Lidhje

Sekretari Kerry viziton Kosovën


Bisedime me zyrtarët e Kosovës për terrorizmin, reformat demokratike, dialogun me Serbinë dhe situatën politike në vend

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, po qëndron të mërkurën për një vizitë në Kosovë, në kuadër të një turneu që përfshinë disa vende evropiane. Vëzhguesit thonë se vizita e tij do të jetë në funksion të mbështetjes së procesin të shtet-ndërtimit, të forcimit të sundimit të ligjit dhe bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sekretari Kerry i cili po takohet me zyrtarët më të lartë të qeverisë, pritet të diskutojë edhe çështjen e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme, para se të shkojë në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku pritet të mbizotërojë gjendja në Siri, përballja me grupin militant Shteti Islamik dhe kriza e refugjatëve e shkaktuar nga gjendja në Lindjen e Mesme.

Vizita e zotit Kerry në Kosovë, ndodhë në një periudhë kur vendi po përballet me krizë politike për shkak të protestave të partive opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Partitë opozitare bllokuan shumë herë seancat e parlamentit të Kosovës, ndërsa akuzuan qeverinë për vendosje të shtetit policor për shkak të masave që janë ndërmarrë ndaj deputetëve opozitar. Pesë prej tyre janë në paraburgim ose nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa dy të tjerë janë në arrati për shkak të urdhër arresteve kundër tyre.

Partitë opozitare thonë se nuk do të lejojnë normalizimin e gjendjes përderisa nuk anulohet marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas tyre, ndan Kosovën nga brenda si dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas opozitës bën që Kosova të humb rreth 9 mijë hektarë tokë.

Qeveria ndërkaq thotë se është e gatshme për të biseduar rreth shqetësimeve të subjekteve opozitare. Ajo tha se është duke pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si dhe ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG