Lidhje

Reagime ndaj vizitës së shefit të ushtrisë serbe në Kosovë


Kosovo, Guglielmo Luigi Miglietta and Lubisha Dikovic
Kosovo, Guglielmo Luigi Miglietta and Lubisha Dikovic

Ministri i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, takoi komandantin e KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, për t’i shprehur atij shqetësimin rreth vizitës së shefit aktual të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç në Prishtinë me ftesë të forcave paqeruajtëse.

Të dielën, në selinë e KFOR-it në Prishtinë, u nënshkrua marrëveshja me të cilën NATO-ja i hoqi kufizimet në hapësirën ajrore të Serbisë të vendosura në vitin 1999.

Në qershor të atij viti, NATO-ja dhe autoritetet e Beogradit nënshkruan një marrëveshje në Kumanovë të Maqedonisë me të cilën përfundoi fushata e bombardimeve 78 ditëshe të trupave të aleancës për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, përveç largimit të trupave nga Kosova, u vendos edhe Zona Ajrore e Sigurisë, që ndalonte fluturimet në një hapësirë prej rreth 25 kilometrash nga kufiri i Kosovës në brendi të Serbisë.

Marrëveshja nga pala serbe u nënshkrua nga gjenerali Dikoviç, i cili akuzohet nga Fondi për të Drejtën humanitare me seli në Beograd për krime lufte në Kosovë. Në janar të këtij viti ky Fond tha se ka dokumente që dëshmojnë se shefi aktual i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, është përgjegjës për krime lufte në Kosovë.

Sipas fondit, ai është përgjegjës për krime në fshatrat Rezallë dhe Çikatovë e Vjetër, të rajonit të Drenicës në Kosovën qendrore, si dhe për fshehjen e trupave në një varrezë masive në rajonin e Rashkës në Serbinë jugperëndimore. Fondi thotë se ka dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë dhe Çikatovë më 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ishte shefi aktual Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç.

Vizita e tij të dielën, ndonëse nuk është e para e një shefi të ushtrisë serbe, nxiti shume reagime në Kosovë. Shoqata humanitare dhe ato të familjeve të personave të zhdukur gjatë luftës thanë se kjo vizitë është e papranueshme.

Në një njoftim të ministrisë së brendshme thuhet se ministri Hyseni i ka thënë komandantit të KFOR-it se “vizitat e tilla të ushtarakëve serbë, të akuzuar nga shoqatat e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe ato serbe, për krime lufte në Kosovë, nuk i kontribuojnë rendit dhe sigurisë së përgjithshme. Për më tepër, vizitat e tilla mund të destabilizojnë situatën”.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG