Lidhje

KFOR: Kosova dhjetë herë më e sigurt se në vitin 1999


Forcat paqeruajtëse të NATO-s përkujtojnë ushtarët që humbën jetën gjatë shërbimit 15 vjeçar të kësaj force në Kosovë

Të enjten mbushen 15 vjet që kur trupat e NATO-s u vendosën në Kosovë duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në prag të këtij përvjetori, forcat e KFOR-it përkujtuan ushtarët e rënë gjatë misionit të tyre në Kosovë.

Në një njoftim për medie thuhet se “kanë kaluar 15 vite që nga fillimi i misionit të KFOR-it në Kosovë kur afër 55 mijë ushtarë të 36 vendeve kishin zbarkuar për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe për të sjellë paqe në vend”.

KFOR-i shprehet i bindur se gjendja është përmirësuar shumë në krahasim me vitin 1999, siguria është ofruar për të gjithë qytetarët duke lënë mënjanë përkatësinë etnike, bindjet fetare, dhe gjuhën.

Një dëshmi e kohëve të fundit e këtij përmirësimi të dukshëm dhe thelbësorë ishin zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 10 qershor, të organizuara në mënyrë paqësore dhe pa incidente festive: kjo ngjarje shënoi një moment historik në historinë e Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në procesin demokratik si shenjë e pjekurisë së arritur nga njerëzit dhe nga të gjitha institucionet”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Forcat paqeruajtëse vlerësojnë se “dialogu konstruktiv midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së, ka dhënë frytet e veta”.

Aktualisht 5 mijë e 500 ushtarë të 30 kombeve të ndryshme shërbejnë për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë.

Dhjetë herë më pak forca se sa në të kaluarën do të thotë 10 herë siguri më të madhe se sa në vitin 1999. KFOR-i një histori e suksesit për suksesin e Kosovë”, thuhet në njoftim.

Gjatë 15 vjetëve 136 ushtarë të KFOR-it “kanë dhënë jetën e tyre për kauzën e lirisë, paqes për një Kosovë më të mirë, për një Evropë më të mirë, për një botë më të mirë për të gjithë qytetarët të cilët tani mund të jetojnë në një mjedis të sigurt, pa dallim race, gjuhe, etnie apo besimi fetar”, thuhet në njoftim.

Nëntë vjet pas hyrjes së forcave të NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila njihet nga mbi 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila megjithatë është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, në shkëmbim të afrimit të saj me strukturat e Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG