Lidhje

Miratohet në parim projektligji për veteranët e UÇK-së


Mes debatesh të rrepta, parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjin mbi kategoritë e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Parlamenti i Kosovës miratoi në parim me shumicë votash projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Projektligji parasheh rregullimin e statusit dhe të drejtave të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

Projektligji që duhet t’i nënshtrohet edhe një debati në parlament pas trajtimit të tij në komisionet përkatëse parlamentare u miratua mes debatesh të ashpra, kryesisht ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndonëse të gjitha partitë politike janë pajtuar se ligji është i domosdoshëm për përmirësimin e jetës së veteranëve të UÇK-së, ata janë përplasur rreth trajtimit të formacioneve ushtarake që gjatë luftës i përgjigjeshin qeverisë së shqiptarëve në mërgim, e cila kishte themeluar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës.

Lidhja Demokratike është shprehur e pakënaqur me mospërmendjen e FARK-ut si formacion i organizuar luftarak askund në projektligj, gjë të cilën e kanë kundërshtuar deputetët e Partisë Demokratike.

Aktualisht, autoritetet janë në proces të regjistrimit të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri tash mbi 60 mijë veta pretendojnë të kenë qenë pjesë e kësaj ushtrie, por autoritetet mendojnë se numri i tyre është më i vogël.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG