Lidhje

Arrestohet Albin Kurti


Policia e Kosovës arrestoi deputetin e lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe 95 të tjerë pak pas përfundimit të protestës së opozitës kundër marrëveshjeve me Serbinë.

Policia e Kosovës ndërhyri në selinë e lëvizjes Vetëvendosje në kërkim të deputetit të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ndaj të cilit ditë më parë është lëshuar një urdhër arresti për shkak të veprimeve gjatë protestave të opozitës në parlamentin e Kosovës, kundër marrëveshjeve me Serbinë.

Njësitë e posaçme të policisë arrestuan zotin Kurti dhe 94 pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizjeje.

Prokuroria tha se zoti Kurti dyshohet se ka kryer veprat penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës dhe pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Gjykata themelore në Prishtinë i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh zotit Kurti.

Forca të mëdha të policisë rrethuan selinë e kësaj lëvizjeje pak pas përfundimit të protestës së partive opozitare kundër marrëveshjeve të fundit me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Udhëheqësit e opozitës, që zgjodhën kremtimet me rastin e 28 nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë, të mbajnë protestë bënë thirrje për anulimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas tyre, ndan Kosovën nga brenda si dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas opozitës bën që Kosova të humb rreth 9 mijë hektarë tokë.

Opozita, për më shumë se dy muaj ka bllokuar edhe punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj këtyre marrëveshjeve. Deputetët e opozitës hodhën në disa raste gaz lotsjellës në mjediset e parlamentit për të pamundësuar mbajtjen e seancave të tij, ndërsa protesta të përshkuara me përplasje të dhunshme kanë ndodhur edhe në rrugë.

Dy javë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi “masën e përkohshme” me të cilin pezullon zbatimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe deri në vlerësimin e përputhshmërisë së saj me Kushtetutën e Kosovës. Vendimi i Gjykatës pasoi kërkesën e bërë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga për “vlerësimin e përputhshmërisë së asociacionit me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Vendimi i Presidentes Jahjaga nxiti reagimin e Beogradit, i cili kërkoi ndërhyrjen e Bashkimit Evropian. Opozita e cilësoi pezullimin e marrëveshjes si një fitore të saj, por ka theksuar se nuk i beson Gjykatës Kushtetuese

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG