Lidhje

Kosovë: Siguria në punë dhe zbatimi i ligjit të punës


Në Kosovë, autoritetet thonë se gjatë vitit 2014 kanë humbur jetën 9 punëtorë dhe 53 janë lënduar për shkak të mungesës së kushteve të punës

Zyrtarë të institucioneve në Kosovë thonë se janë të përkushtuar ndaj sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve, por kjo vazhdon të mbetet sfidë e madhe. Ata thonë se janë duke bërë përpjekje që nëpërmjet fushatave të ndryshme informuese të rrisin zbatimin e ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Çdo vit shënohen raste të humbjes së jetëve apo të lëndimeve në mungesë të kushteve të punës, posaçërisht në sektorin e ndërtimeve.

Ligjet e punës
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:52 0:00

Udhëheqësi i Inspektoratit të punës, Basri Ibrahimi, thotë për Zërin e Amerikës se gjatë vitit 2014 numri i viktimave ka shënuar rënie, por cështja ende mbetet shqetësuese.

“Në vitin 2014 fatkeqësisht ne kemi pasur nëntë raste të vdekjes në vendin e punës dhe 53 lëndime që konsiderojmë që janë tepër të larta dhe ne do të bëjmë përpjekje që të krijojmë një gjendje më të mirë të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe që të ketë një vend më të sigurt pune në Kosovë” thotë zoti Ibrahimi.

Zoti Ibrahimi thotë ndërkaq se është duke u shënuar përparim në përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët, por sfidë mbetet respektimi i të drejtave të tyre.

“Sepse gjatë vitit 2014 ne kemi hasur në 2 mijë e 571 punëtorë të cilët kanë qenë pa kontrata pune dhe ne konsiderojmë se kjo gjendje duhet të përmirësohet. Ka edhe shkelje të tjera por kjo është më e rëndë. Por edhe në çështjen e sigurisë dhe shëndetit në punë ka ende nevojë për avancimin e kushteve më të mira për vendet e punës”, thotë zoti Ibrahimi.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se se më të goditurit nga mos zbatimi i ligjit të punës janë ata që punojnë në sektorin privat, në të cilin janë të punësuar rreth 250 mijë punëtorë.

“Ne i kemi sektorët, posaçërisht ndërtimtarinë ku ka shkelje shumë të mëdha të punëtorëve, kemi edhe te kompanitë ushqimore në Kosovë që kanë një kapacitet të punësuarve më të madh prej rreth tre mijë vetave. Në çdo pore ku është sektori privat nëse nuk ka ndonjë shtrëngim nga departamenti i inspektoratit, sigurisht që shkeljet janë evidente, çdo ditë, çdo muaj”, thotë zoti Arifi.

Ai kërkon nga Inspektorati i Punës që të gjobiten të gjitha ndërmarrjet që shkelin të drejtat e punëtorëve.

“Ai që ka parregullsi, nuk ka kontratë punëtori, ai që nuk e siguron mbrojtjen në punë, nuk e ka mbrojtjen e shëndetit në vendin e punës, nuk I ka rrobat e punës që kemi shumë shkelje në këtë drejtim, atëherë Inspektorati i ka duart e lira që ta ndëshkojë sepse e gjen tu e shkelë ligjin dhe aty nuk duhet të ketë kompromise”, thotë zoti Arifi.

Por, udhëheqësi i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi thotë se qëllimi i tyre është bashkëpunimi me bizneset.

“Sepse qëllimi jonë nuk është gjoba por ngritja e vetëdijes për respektimin e të drejtave të punëtorëve. Në qoftë ne shumë herë e gjobisim punëdhënësin duke e pasur parasysh se biznesi në Kosovë nuk lulëzon dhe ka nevojë shumë për zhvillimin e tyre, në qoftë se ne e gjobisim punëdhënësin atëherë ka mundësi që në shumë kompani t’i marrim të gjitha mjetet material që I kanë dhe rezultati del se ne atë mund ta mbyllim për shkak të mungesës së mjeteve dhe rezultati është krejtësisht negativ sepse nëse mbyllim biznesin jo që nuk po e mbrojmë punëtorin, por përkundrazi punëtorin po e bëjmë edhe rast social sepse nëse mbyllet biznesi, punëtori do të humb vendin e punës”, thotë zoti Ibrahimi.

Përfaqësues të sindikatave kanë bërë thirrje për shtim të angazhimit për të siguruar që ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë është duke u zbatuar për të gjithë punëtorët, ndërsa Inspektorati i Punës thotë ndërkaq se është duke bërë përpjekje që të sigurojë zbatimin duke ndëshkuar çdo vit biznese për mos respektimin e ligjit të punës.

Ligji i Punës i pari i këtij lloji në Kosovën e pasluftës hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2011, me gjithë vërejtjet për shumë aspekte që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve.

XS
SM
MD
LG