Lidhje

Familjet e anëtarëve të vrarë të LDK-së kërkojnë drejtësi


Familjarët e 29 veprimtarëve të vrarë në rrethana ende të pasqaruara nëpër vite, kërkuan sot ndriçimin e rasteve dhe vënien e drejtësisë në vend

Një numër familjarësh të veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të vrarë në rrethana ende të paqarta para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, protestuan sot para qeverisë së Kosovës, duke bërë thirrje për ndriçimin e rasteve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Në një deklaratë të përbashkët, shprehet shqetësimi me siç thuhet “neglizhencën e institucioneve në raport me vënien para drejtësisë së urdhërdhënësve dhe autorëve të atentateve me motive politike të intelektualëve të shquar, aktivistëve të LDK-së dhe personaliteteve tjera”.

Në një parullë me mbishkrimin duam drejtësi, ata kishin radhitur emrat e 29 viktimave, që u lexuan një nga një gjatë protestës.

Ata kërkuan themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, për të ndihmuar në zbardhjen e rasteve.

Protestuesit kërkuan që parlamenti i Kosovës, të miratojë sa më shpejt ligjin për themelimin e Gjykatës së posaçme, e cila sipas tyre “duhet të merret edhe me vrasjet ndërshqiptare”.

Vrasjet e veprimtarëve të Lidhjes Demokratike, shpesh herë kanë qenë temë debatesh të ashpra midis subjekteve politike në vend.

XS
SM
MD
LG