Lidhje

Kosova përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare


Udhëheqësit e partive politike, përveç lëvizjes Vetëvendosje, janë pajtuar të martën që të çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare në muajin qershor. Pajtimi pasoi mospajtimet në Parlament të cilat bënë që të dështojë votimi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.


Pakicat kombëtare kushtëzuan votimin me zgjatjen e mandateve të rezervuara në Parlament, që nënkupton një përfaqësim më të gjerë të tyre edhe përtej votave të fituara. Por, kërkesat e tyre janë kundërshtuar nga Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje. Votimi i themelimit të këtyre forcave kërkon dy të tretat e deputetëve në Parlament dhe njëkohësisht dy ë tretat e votave të deputetëve pakicë.

Udhëheqësit e partive politike u takuan në mesditë me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga e cila duhet të shpallë zgjedhjet e reja.

Do të respektoj vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili është edhe hapi i parë që më obligon mua si presidente e vendit t'i filloj konsultimet me partitë politike ashtu siç e parasheh Kushtetuta e vendit”, tha presidentja Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se situata e krijuar në Parlament përcakton edhe çështjen e zgjedhjeve.

Një Parlament që krijon rrethanat që nuk mund të votojë ushtrinë e vendit, atëherë është i pakuptimtë çdo funksionim i mëtutjeshëm” tha kryeministri Thaçi, i cili pret që parlamenti të shpërbëhet të mërkurën në një seancë të jashtëzakonshme, ndërsa ka hedhur propozimin që zgjedhjet të mbahen më 8 qershor.

Në favor të këtij procesi u shpreh edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Shpreh mendimin tonë se Kuvendi është jofunksional dhe nuk ka arsye që më tutje të funksionojë kështu si është dhe zgjidhja më e mirë është që të mbahen zgjedhjet në pjesën e parë të muajit qershor përmes shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës", tha zoti Mustafa.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se janë disa mundësi për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Një është dorëheqja e kryeministrit, në rast se ndodhë, një tjetër edhe mocionit i mosbesimit që ne e favorizojmë dhe është varianti i shpërndarjes së kuvendit. Pozicioni i Aleancës se jemi për zgjedhje tash, do të thotë në pjesën e parë të qershorit, por favorizojmë shkuarjen e zgjedhjeve me mocion të shkarkimit të qeverisë. Në rast se i propozohet parlamentit shpërbërja e lëmë të hapur mundësinë me e përkrahë” tha zoti Haradinaj.

Ndërsa, nënkryetarja e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari Lila tha se kjo parti ka rezerva për organizmin e shpejtë të zgjedhjeve.

Çka ne nuk kemi dashur është të hyjmë në një proces zgjedhor që nuk është i përgatitur mirë, ose nuk ka mjaftueshëm përgatitje që të kemi kredibilitet të procesit zgjedhor. Insistojmë që ajo çfarë ndodhi ne zgjedhjet lokale të mbahet si standard dhe kjo ishte brenga jonë kryesore”, tha zonja Kusari – Lila.

Sido qoftë e mërkura do të sqarojë kohën dhe rrugën e çuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme, meqë udhëheqësit politikë do të takohen sërish për këtë çështje. Shpërndarja e Parlamentit do të shtyjë për kohë të tjera themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ndërsa pakicat kombëtare nuk do të kenë më vendet e rezervuara.
XS
SM
MD
LG