Lidhje

Leonarda Dibrani refuzon të kthehet vetëm në Francë


Vajza pesëmbëdhjetëvjeçare e dëbuar ditë më parë nga Franca refuzon ofertën e presidentit francez që të kthehet prapa, pa familjen e saj.

Vajza pesëmbëdhjetëvjeçare e përkatësisë rome e dëbuar ditë më parë nga Franca në Kosovë, Leonarda Dibrani, refuzon ofertën e presidentit francez Francois Hollande që të kthehet sërish në Francë për të vazhduar studimet, por pa familjen e saj.

Dëbimi i Leonarda Dibranit nga Franca për në Kosovë u bë shkak për protesat e studentëve javën e kaluar.

Ajo dhe familja u kthyen në Kosovë, pasi hynë në Francë ilegalisht katër vjet më parë.

"Në këto rrethana, nëse bën kërkesë dhe nëse do të vazhdojë studimet në Francë, ajo do të jetë e mirëpritur, por vetëm ajo", tha dje presidenti i Francës Francois Hollande.

Dibrani thotë se kthimi i saj vetëm në Francë është i papranueshëm.

"Nuk dua të shkoj atje pa familjen. Unë dua të jem me të, veçanërisht me të. Ne jemi shumë afër me njera tjetrën. Ajo është motra ime e dashur, nuk mund ta lë atë dhe të iki”.

Franca po i përmbahet vendimit të saj për deportimin e familjes Dibrani, duke thënë se ajo i ka konsumuar opcionet për strehim.

Deklarata e presidentit Hollandë pasoi reagimet e ashpra që nxiti arrestimi i saj nga policia franceze në prani të shokëve të saj të shkollës. Mënyra e dëbimit nxiti kritika të ashpra dhe protesta në Francë, ndonëse autoritetet thanë se dëbimi ishte veprim i ligjshëm.

I ati i Leonardës, Reshat Dibrani, u tha agjencive të lajmeve se në fakt vetëm ai është i lindur në Kosovë, prej nga ishte larguar në Itali dhe atje kishin lindur fëmijët. Nga Italia, familja kishte shkuar në Francë duke pretenduar se të gjithë janë nga Kosova, meqë ishin të bindur se në këtë mënyrë do të fitonin strehim.
XS
SM
MD
LG