Lidhje

Sulmohet familja e Leonarda Dibranit


Familja e vajzës pesëmbëdhjetëvjeçare e dëbuar ditë më parë nga Franca u sulmua nga një familje e përkatësisë kombëtare rome në Mitrovicë

Në Kosovë, policia tha se ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit rom për shkak të sulmit ndaj familjes së pesëmbëdhjetëvjeçares së po kësaj përkatësie e dëbuar ditë më parë nga Franca në Kosovë, Leonarda Dibrani.

Policia tha se sulmi pasoi një përplasje ndërmjet familjes Dibrani dhe një çifti të përkatësisë rome, për arsye ende të panjohura, ndërsa policia beson se familjet kishin mosmarrëveshje të mëhershme.

Sulmi ndodhi një ditë pasi që Leonarda Dibrani, refuzoi ofertën e presidentit francez Francois Hollande që të kthehet sërish në Francë, por pa familjen e saj.

Presidenti Hollande tha të shtunën që “nëse bën kërkesë dhe nëse do të vazhdojë studimet e saj, ajo mund të kthehet, por vetëm ajo”.

Deklarata e presidentit Hollandë pasoi reagimet e ashpra që nxiti arrestimi i saj nga policia francezë ne prani të shokëve të saj të shkollës për t’u dëbuar me forcë në Kosovë.

Mënyra e dëbimit nxiti kritika të ashpra dhe protesta në Francë, ndonëse autoritetet thanë se dëbimi ishte veprim i ligjshëm meqë familjes Dibrani i ishte refuzuar kërkesa për strehim në Francë.

Ajo refuzoi të shtunën mundësinë që të kthehet në Francë pa familjen e saj.

Familja Dibrani kishte jetuar për më shumë se katër vjet në Francë, para se të dëbohej më herët gjatë këtij muaji.

I ati i Leonardës, Reshat Dibrani, u tha agjencive të lajmeve se në fakt vetëm ai është i lindur në Kosovë, prej nga ishte larguar në Itali, ku sipas tij janë lindur fëmijët e tij. Por, prej andej kishin ikur në Francë duke pretenduar se të gjithë janë nga Kosova, meqë ishin të bindur se në këtë mënyrë do të fitonin strehim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG