Lidhje

Tre të akuzuar në rastin Kosovo 2.0


Misioni i EULEX-it ngriti akuzë kundër tre personave të përfshirë në një sulm ndaj revistës Kosovo 2.0 që trajtonte tema të seksit dhe homoseksualitetit

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur se një prokuror i këtij misioni ka ngritur aktakuzë kundër tre qytetarëve të Kosovës për përfshirje në sulmin ndaj personelit të revistës Kosovo 2.0, më 14 dhjetor të vitit të kaluar.

Akuzat lidhen më një incident në Prishtinë, kur grupe personash ndërhynë me forcë për të penguar prezantimin e revistës Kosovo 2.0 që numrin e saj të dhjetorit ua kishte kushtuar temave të seksit dhe trajtimit të homoseksualitetit.

Në njoftimin e EULEX-it thuhet se të pandehurit akuzohen për veprat shkelje e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës, për parandalimin apo pengimin e tubimit publik, shkaktim të lëndimit të lehtë trupor, vepra të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar a etnik dhe të dëmtimit të pasurisë së paluajtshme.

Dy pikat e fundit të akuzës, thuhet në komunikatë, mund të preken nga Ligji për Amnistinë, nëse ai hyn në fuqi i pandryshuar. Të martën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se ligji për amnistinë është në përputhje me kushtetutën e Kosovës, përveç disa neneve të caktuara.

Në njoftimin e EULEX-it, thuhet se prokuroria ka përfunduar edhe tri hetime të tjera në rastin Kosovo 2.0, ndërsa ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për përfundimin e plotë të tyre.

Incidenti i dhjetorit të vitit të kaluar kishte nxitur reagime të shumta të institucioneve e organizatave vendase e ndërkombëtare të cilat bënë thirrje kundër çdo forme të diskriminimit dhe kufizimit të lirisë së shprehjes, ndërsa organeve të rendit zbardhjen e incidentit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG