Lidhje

Lulzim Peci – i dërguari i Kosovës në Beograd


Ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, do të jetë shef i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, ndërsa ende nuk është caktuar përfaqësuesi i Beogradit në Kosovë.

Emërimi i zyrtarëve ndërlidhës të të dyja vendeve ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht do të veprojnë në kuadër të zyrave të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Beograd.
Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi
Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, janë pajtuar për emërimin e shefit të Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, ndërsa ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka propozuar për këtë post ambasadorin Lulzim Peci.

Ai duhet të dekretohet nga presidentja e Kosovës për të marrë postin e ri.

Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi janë pajtuar me këtë propozim gjatë një takimi në të cilin diskutuan për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim u tha se së shpejti pritet një takim ndërmjet presidentes Jahjaga dhe presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç, në përkrahje për gjithë procesin e dialogut që po udhëhiqet nga qeveritë e të dyja vendeve dhe të zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

Fillimi i muajit shkurt është përmendur si periudhë e mundshme e këtij takimi që pritet të zhvillohet në Bruksel.
XS
SM
MD
LG