Lidhje

Fatmir Limaj në arrest shtëpie


Gjykata e lartë e Kosovës liroi nga paraburgimi deputetin Fatmir Limaj i cili është në pritje të dy proceseve gjyqësore nën akuzat për krime lufte dhe korrupsion

Deputeti i Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj nga sot është në arrest shtëpie në pritje të proceseve gjyqësore kundër tij. Gjykata e lartë e Kosovës vendosi që masën e paraburgimit ta zëvendësojë me atë të arrestit shtëpiak.

Zoti Limaj ndodhej në paraburgim që nga 24 nëntori i vitit të kaluar kur qe vendosur kthimi i tij në rigjykim nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999.

Një trup i përbërë nga tre gjykatës ndërkombëtar dhe dy vendas të gjykatës së lartë, vendosi atëbotë që kërkesa e prokurorit të çështjes për rishqyrtim të lëndës të merret për bazë pjesërisht.

Në muajin maj të vitit 2012 zoti Limaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, që mbështeteshin kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit 2011, kur kreu vetëvrasje në Gjermani.

Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë. Më 21 mars të vitit 2012, pohimet e dëshmitarit qenë shpallur të papranueshme nga gjykata.

Ishte kjo hera e dytë që zoti Limaj përballej me akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Rigjykimi i vendosur në nëntor të vitit që lamë pas pritet të fillojë gjatë muajit prill, kur po ashtu pritet të fillojë edhe procesi tjetër gjyqësor ndaj zotit Limaj nën akuzat për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion, që lidhen me periudhën kur zoti Limaj ishte Ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit.
XS
SM
MD
LG