Lidhje

Akuzë e re kundër Fatmir Limajt


Për të dytën herë me radhë zoti Limaj, ish ministër i transporteve dhe telekomunikacionit akuzohet nën dyshimet për korrupsion

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ngriti edhe një akuzë kundër deputetit Fatmir Limaj, lidhur me veprimtarinë e tij në kohën kur ishte ministër i transporteve dhe telekomunikacionit në qeverinë e Kosovës.

Në një njoftim të këtij misioni thuhet se “një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-Ministrit të Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit dhe katër personave të tjerë të bashkë-akuzuar për vepra të ndryshme penale përfshirë – krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin”.

Sipas prokurorit, “këto vepra janë kryer në ndodhën më 2008 kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit. Prokurori pretendon se buxheti i kësaj ministrie është dëmtuar për së paku 890 mijë euro”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Kjo është akuza e dytë e ngritur ndaj zotit Liamj nën dyshimet për korrupsion. Vitin e kaluar atij i qe konfirmuar një akuzë për shpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve si dhe për mosdeklarimin e parave në kohën që konkurronte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007.

Akuzat ndaj zotit Limaj pasuan një periudhë të gjatë hetimesh që filluan në prill të vitit 2010, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, ministri që ishte përgjegjëse për ndërtimin e rrugëve, përfshirë edhe autostradën që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Në shtator të vitit të kaluar, zoti Limaj që shpallur i pafajshëm për të dytën herë nga akuzat për krime lufte. Ndërsa në vitin 2005 ai qe shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Fatmir Limaj, aktualisht deputet në Parlamentin e Kosovës, ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit aktual Hashim Thaçi dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Pak ditë më parë ai shpalli largimin e tij nga kjo parti dhe paralajmëroi krijimin e një force të re politike bashkë me kryetarin aktual të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
XS
SM
MD
LG