Lidhje

EULEX-i shkrinë në një akuzat ndaj Fatmir Limajt


Kosovo, Fatmir Limaj
Kosovo, Fatmir Limaj

Një gjykatës i EULEX-it vendosi të martën që dy akuzat për korrupsion ndaj ish ministrit të transporteve të shkrihen në një dhe ndryshoi një pjesë të tyre.

Një trup gjykues i drejtuar nga Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Gjykatën themelore në Prishtinë vlerësoi se ka prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar se “të pandehurit F.L, ish-Ministër i transporteve dhe telekomunikacionit, N.K., ish Shef i Prokurimit në këtë ministri dhe S.T., truprojë e F.L., në vitin 2008 e kanë formuar një grup kriminal të organizuar i cili ka kryer veprën e rëndë penale shpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit. Synimi i pretenduar i këtij grupi kriminal të organizuar ishte dhënia e tenderëve fitimprurës për ndërtimin respektivisht mirëmbajtjen e rrugëve, kompanive për ndërtimin e rrugëve në bazë të lidhjeve politike dhe me anë të anashkalimit dhe manipulimit të procedurave të prokurimit”.

Gjykata vendosi të hedh poshtë akuzat “për përvetësim në detyrë dhe lidhje të kontratave të dëmshme”, si dhe ato për “marrje të mitos pasi që prokuroria nuk kishte paraqitur dëshmi të mjaftueshme për këtë”.

Gjykata i hodhi poshtë në tërësi akuzat kundër dy të tjerëve meqë nuk kishte prova të mjaftueshme.

Gjykata miratoi kërkesën e prokurorit për t’i bashkuar rastet e ngritura kundër zotit Limaj në dy akuza të veçanta, siç u tha “në interesin e drejtësisë dhe në përputhje me të drejtat e të pandehurve”.

Më 19 shkurt të këtij viti një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë kundër zotit Limaj dhe katër personave të tjerë për vepra të ndryshme penale përfshirë – krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin.

Sipas prokurorit, “këto vepra janë kryer më 2008 kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit. Prokurori pretendon se buxheti i kësaj ministrie është dëmtuar për së paku 890 mijë euro”.

Ajo ishte akuza e dytë e ngritur ndaj zotit Limaj nën dyshimet për korrupsion. Vitin e kaluar atij i qe konfirmuar një akuzë për shpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve si dhe për mosdeklarimin e parave në kohën që konkurronte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007.

Në shtator të vitit të kaluar, zoti Limaj që shpallur i pafajshëm për të dytën herë nga akuzat për krime lufte. Ndërsa në vitin 2005 ai qe shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Ish nënkryetar i Partisë Demokratike të Hashim Thaçi, zoti Limaj më 28 shkurt shpalli ndarjen nga kjo parti dhe themelimin e subjektit të ri politik me emrin “Nisma për Kosovën”, e cila në zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit mori mbi 5 për qind të votave.
XS
SM
MD
LG