Lidhje

Ismail Kadare merr çmimin “Ali Podrimja”


Ismail Kadare

Ismail Kadare

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është nderuar në Prishtinë me çmimin që mban emrin e poetit të njohur të Kosovës, Ali Podrimja

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, tha se kombi shqiptar ka gjeografinë, historinë dhe qytetërimin e tij, pjesë të qytetërimit evropian dhe debatet që nxiten rreth kësaj çështjeje janë absurde.

Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie në kolegjin universitar AAB në Prishtinë ku ju nda çmimi “Ali Podrimja”, një çmim i ndarë për herë të parë në kujtim të poetit Podrimja i cili ndërroi jetë verën e kaluar në Francë.

Zoti Kadare, që ishte mik i shkrimtarit të ndjerë tha se së bashku kishin diskutuar shpesh për detyrimet që kanë kultura dhe letërsia më kombin.

Letërsia nuk rregullon punët e një kombi, letërsia nuk rregullon punët e një shteti, nuk rregullon punët e partive prandaj ajo është mirë që të qëndrojë jashtë tyre, ajo ka vlerë, si vlerë e pavarur në radhë të parë, si një vlerë paralele, si një botë paralele. Por, ka stinë në jetën e popujve kur kanë nevojë për të dhe atëherë letërsia e thyen zakonin e saj të pavarësisë dhe përzihet në punët e kombit, kështu është përzier letërsia shqipe në 120 vjet përpara, në 150 vjet përpara në kohën e Rilindjes Kombëtare, kështu duhet të përzihet përsëri kultura shqiptare sot kur kombi shqiptar ka një problem tepër serioz”, tha ai.

Atifete Jahjaga dhe Ismail Kadare

Atifete Jahjaga dhe Ismail Kadare

Zoti Kadare, i cili sot takoi edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se kombi shqiptar ka një problem me kontinentin e vet evropian dhe është i vetmi komb ndaj të cilit ka pasur përpjekje për të nxjerrë nga kontinenti. Ai tha se ende ngrihen pikëpyetje nëse ai e ka vendin apo jo në Evrope dhe diskutimet e tilla janë të rrezikshme.

Kombi shqiptar e ka gjeografinë e vet, vendin e vet në Evropë, historinë e vet e ka në Evropë, qytetërimin e ka pjesë të qytetërimit evropian dhe nuk ka pse të shtrohet ky absurditet që është makabër po ta shikosh nga një anë të një populli a duhet të jetë në Evropë apo duhet të dëbohet. Në pjesën e tij më barbare formulimi është bërë i tillë që kombi shqiptar se ka vendin këtu dhe nuk është keq që të dëbohet nga kontinenti. Kjo kaherë është quajtur shpërngulje, herë dëbim dhe drama e fundit ka qenë para katërmbëdhjetë vitesh ku u bë përpjekja e fundit për ta përgjysmuar një pjesë të tij, për ta nxjerrë nga Evropa”, tha zoti Kadare.

Por, ai tha se vështirësitë e mëdha në histori nuk e bëjnë kombin shqiptar të pafat.

Kombet si çdo gjë janë të vdekshëm dhe ata që janë të gjallë do të thotë që ata kanë triumfuar mbi një të keqe të madhe që e sulmon gjithmonë kombin. Është e natyrshme që kombet të sulmohen, nga kush?, në mënyrë të paparashikueshme nga lloj lloj rrethanash, shpesh nga vetvetja, e kjo është sulmi më i rrezikshëm”, tha zoti Kadare.

Ndarja e çmimit për Ismail Kadarenë, sipas kryetarit të komisionit Ibrahim Berisha mbështetet në shumë arsye.

Një arsye është për paraqitjen e një Shqipërie me gjithë identitetin dhe kulturën e saj në një mënyrë deri atëherë të panjohur e deri sot e mbase përgjithnjë krejt të papërsëritshme, për pjesën tjetër të globit. Një arsye tjetër mund t’i takojë lexuesit jo-shqiptar dhe atij shqiptar që mbahet me kozmopolit. Ai do të thoshte arsyen pse Kadare duhet shpërblyer pasi letra e tij e pasur përplot shkrime fantastike spikatëse është vendi i vetëm ku pati gjetur strehën qenia e përkatësisë dhe ideja e lirisë, andaj juria e Universitetit AAB-së ka nderin dhe kënaqësisë që çmimin ndërkombëtarë për letërsi “Ali Podrimja t’ia japë shkrimtarit Ismail Kadare”, tha zoti Berisha.

Duke i dorëzuar çmimin shkrimtarit, rektori i kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se një veprim të tillë do ta bënte edhe poeti Podrimja.

Duke e ditur edhe vlerësimin që Podrimja e ka pasur për Kadarenë, jam i sigurt se po të kishim pasur mundësinë ta pyesnim vet Podrimjen se kush do të mund të ishte fituesi i çmimit të parë për letërsi që mbanë emrin “Ali Podrimja”, ai do të thoshte Ismail Kadare”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG