Lidhje

Hyn në fuqi ligji që ndalon përfshirjen në luftëra të huaja


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dekretoi shpalljen e ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dekretoi të mërkurën shpalljen e ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, që është miratuar nga Parlamenti i më 12 mars.

Në një njoftim të zyrës së presidentes, ajo citohet të ketë thënë me këtë rast se “Kosova është një vend i traditës së gjatë të tolerancës dhe i respektimit të diversitetit kulturor e fetar, me synime të qarta që të bëhet pjesë e botës së zhvilluar, të përparuar dhe demokratike”.

Presidentja Jahjaga thekson se “të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend po bëjnë punën e tyre në parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit dhe ligji i nënshkruar, që është votuar në Parlamentin e Kosovës, do të ndikojë në këtë parandalim”.

Parlamenti i Kosovës me 60 vota për dhe 17 kundër, miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit.

Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

Ligji pasoi shqetësimet në rritje për përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës në luftën e Sirisë. Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha javën e kaluar gjatë një konference kundër terrorizimit në Vjenë se “nga gjithsej 195 luftëtarë nga Kosova të cilët kanë qenë në Siri dhe Irak, numri i tyre ka rënë në 50, kurse janë arrestuar edhe 62 veta që morën pjesë në ato luftëra”.

Disa dhjetëra të tjerë janë arrestuar nën dyshimet për nxitje dhe rekrutim, ndërsa deri tash besohet se 27 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në luftërat në lindjen e mesme.

Në mars të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi në lexim të parë këtë projektligj, por, leximi i tij i dytë u pamundësua meqë vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Krahas aspektit ligjor, autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin çdo përfshirje në luftërat ne lindjen e Mesme. Thirrjeve u është bashkuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës e pohon se luftërat në ato zona nuk kanë të bëjnë asgjë me shqiptarët e as me besimin islam.

XS
SM
MD
LG