Lidhje

Kosova reagon ndaj ngjarjeve në Maqedoni


Ministria e Jashtme e Kosovës konsideron se është në interesin e Maqedonisë që të kultivohet fryma evropiane, toleranca dhe bashkëpunimi

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës reagoi lidhur me situatën e tensionuar në Maqedoni, duke dënuar aktin e rrahjes së nxënësve shqiptarë dhe konsideron se përshkallëzimi i dhunës dëmton marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-maqedonase në këtë shtet shumetnik.

Në një reagim të kësaj ministrie u bëhet thirrje të dyja palëve në Maqedoni, veçanërisht të gjithë faktorëve politikë që të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm për të shmangur tensionet etnike.

Autoriteteve zyrtare të Shkupit u bëhet thirrje që të ndërmarrin masa të vendosura për zbulimin dhe dënimin e autorëve të akteve të tilla të dhunës dhe të incidenteve me sfond etnik, duke vlerësuar se forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konsideron se është në interesin e Maqedonisë që të kultivohet fryma evropiane, toleranca dhe bashkëpunimi efektiv ndërmjet të gjitha forcave të shoqërisë, për zgjidhjen e të gjitha kontesteve të brendshme, ngase kjo është rruga e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Maqedonisë dhe të rajonit si një parakusht për integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike, thuhet në reagimin e ministrisë së jashtme të Kosovës.
XS
SM
MD
LG