Lidhje

Policia e Kosovës përgënjeshtron atë maqedonase


Në Kosovë, policia mohoi njoftimet e palës maqedonase se persona te armatosur mund të kenë kaluar nga Kosova në Maqedoni

Policia e Kosovës përgënjeshtroi njoftimet se një grup personash të armatosur nga Kosova mund të kenë kaluar kufirin me Maqedoninë. Të enjten Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, kishte njoftuar Policinë e Kosovës se vërehen persona të grumbulluar në brezin kufitar, respektivisht në fshatin Radushë në territorin e Maqedonisë dhe në Krivenik në territorin e Kosovës.

Me verifikimin e menjëhershëm të informacionit është konstatuar se nuk ka asnjë grumbullim apo individ në lokacionin e lartcekur dhe as në tërë zonën e brezit kufitar me Maqedoninë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në njoftim thuhet se “Njësitet e Policisë Kufitare në detyra të rregullta gjatë brezit kufitar nuk kanë hasur në asnjë grumbullim të pretenduar nga pala maqedonase dhe po ashtu një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga njësitet e Policisë Kufitare të Maqedonisë, të cilat sipas planit të përbashkët të patrullimit, kanë qenë së bashku me njësitet e Policisë Kufitare të Policisë së Kosovës në patrullim sipas konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit”.

Policia e Kosovës shpjegon se krahas veprimtarive të përbashkëta me palën maqedonase, në mbikëqyrjen e brezit kufitar shfrytëzohen edhe kullat vrojtuese të cilat mundësojnë vëzhgimin e hapësirës së madhe të brezit kufitar nga të dyja anët, duke shfrytëzuar edhe teknologjinë e avancuar dhe deri më tani nuk është detektuar asnjë lëvizje e dyshimtë.

Për të dytën herë brenda javës, autoritetet maqedonase hodhën dyshime për kalim të kufirit nga persona të armatosur nga Kosovë. Më 21 prill ato njoftuan për një sulm, ndaj një stacioni policie në fshatin Goshincë në veri të Kumanovës, pranë kufirit me Kosovën. Autoritetet maqedonase thonë se në bazë të informacioneve që kanë, bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë nga Kosova, por policia e Kosovës hodhi poshtë pohimet e tilla.

XS
SM
MD
LG