Lidhje

Kosova shpreh keqardhjen për anulimin e takimit të Ohrit


Prishtina zyrtare vlerëson qëndrimin e vendeve që refuzuan pjesëmarrjen në takimin e Ohrit ku ishte anashkaluar Kosova.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shprehu keqardhjen e saj për anulimin e takimit të lartë të nismës për bashkëpunim rajonal, të planifikuar për t’u mbajtur në Ohër të Maqedonisë.

Të mërkurën, presidenti i Maqedonisë, Geroge Ivanov, anuloi takimin, pas njoftimet se ai do të bojkotohet nga presidentët e Shqipërisë dhe të Kroacisë, të cilët nuk janë pajtuar me mospërfshirjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në një komunikatë për opinion, zëdhënësi i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, thekson se “anashkalimi i Kosovës nga nismat rajonale nuk i kontribuon marrëdhënieve ndër fqinjësore dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit si dhe procesit të integrimeve evropiane. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve ndërtohen në mirëbesim dhe respektim të ndërsjellë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën në proceset e integrimeve duke shtrirë dorën e bashkëpunimit”.

Në reagim thuhet se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë ndërtimin e marrëdhënieve me secilin shtet veç e veç në rajonin e Ballkanit dhe të nxisë paqen, qëndrueshmërinë dhe sigurinë si shtet sovran dhe i pavarur.

E përshëndesim qëndrimin parimor të vendeve që refuzuan të marrin pjesë në Samit, në të cilin nuk është e ftuar Kosova, sepse përjashtimi i saj nuk mund të konceptohet se është në frymën e zgjerimit dhe të bashkëpunimit. Përfshirja e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare ndihmon në ruajtjen e vlerave të përgjithshme të bashkëpunimit dhe siguron edhe të ardhmen e rajonit në BE”, thuhet në komunikatë.

Zoti Vllahiu citoi presidenten Jahjaga të ketë thënë se “Republika e Kosovës do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie të mira me Republikën e Maqedonisë, si dy shtete fqinje që kanë treguar shembull të bashkëpunimit në të gjitha fushat”.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi se pas anulimit zyrtar të takimit të Ohrit, Serbia ka tërhequr kundërshtimin për pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në takimin e Ministrave të jashtëm, si pjesë e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Pas këtij zhvillimi, Kosova ka ulur nivelin e përfaqësimit dhe ministri i jashtëm Enver Hoxhaj nuk do të marrë pjesë, por në këtë takim të ministrave do të përfaqësohet nga zëvendësministri i punëve të jashtme, Petrit Selimi", thuhet në një komunikatë për opinion.

Në njoftim thuhet se që nga fillimi, ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj ka ngulur këmbë që “Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë me shtetet tjera dhe çdo tendencë për të ulur apo bllokuar këtë format të përfaqësimit është kundër frymës së bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë”.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se një gjë e tillë është edhe kundër “marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjes paraprake për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal”.

Me marrëveshjen e 19 prillit, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dyja palët janë pajtuar se nuk do ta pengojnë dhe as bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën evropiane dhe nuk do të nxisin vendet tjera që ta bëjnë një gjë të tillë.

Në muajin shkurt të vitit 2012, palët arritën një marrëveshje që i mundëson Kosovës pjesëmarrjen në forumet rajonale më një shënim që përfshinë deklaratën e pavarësisë, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ajo marrëveshje i mundësoi Serbisë të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG