Lidhje

Ndërron jetë akademiku Mark Krasniqi


Ai ishte një nga emrat më të shquar të dijes, kulturës e politikës në Kosovë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njoftoi se një nga anëtarët e saj ndërroi jetë. Në një njoftim të kësaj akademie thuhet se Mark Krasniqi ishte njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare dhe veprimtar i spikatur i kauzës kombëtare shqiptare.

Mark Krasniqi lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës, ku e kreu shkollën fillore, kurse gjimnazin e mbaroi në Prizren në vitin 1941. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës në Ital), ndërsa në vitet 1946-l950 gjeografinë dhe etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua më 1950. Në vitet 1945-1946 punoi gazetar-redaktor në gazetën “Rilindja” në Prizren, ndërsa në vitet 1947-l949 gazetar-redaktor në Radio-Beograd, në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe).

Në vitet 1950-1961 ka punuar fillimisht si asistent e pastaj bashkëpunëtor shkencor në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd. Në vitin 1960 mbrojti doktoratën në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës. Në vitet 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur u përjashtua nga autoritetet komuniste të kohës.

Ai nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Ka botuar dhjetëra libra shkencorë e letrarë dhe shumë tekste publicistike e shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish.

Për punën shkencore dhe angazhimin e tij në planin shoqëror, politik dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata, ndër të cilat edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 dhe çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani në vitin 2014.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG