Lidhje

EBU: Parlamenti i Kosovës të forcojë mbrojtjen e medias

  • L. Shehu

Gazetat e përditshme në Kosovë

Gazetat e përditshme në Kosovë

Unioni Evropian i Transmetuesve i bëri thirrje Parlamentit të Kosovës të forcojë mbrojtjen e medieve duke miratuar standardet evropiane.


Unioni Evropian i Transmetuesve u bëri thirrje sot autoriteteve në Kosovë, që të heqin dorë nga propozimet për ndryshimin e Kodit Penal, që do të dëmtonte lirinë e medieve. Në një komunikatë për opinion thuhet se Komisioni Parlamentar për legjislacion do të votojë këtë javë për mundësinë e heqjes së nenit 38 të Kodit Penal, që ka të bëjë me burimet e informimit. Ndryshimet do t’u merrnin gazetarëve të drejtën që të mbrojnë burimet e tyre të informimit, duke u lënë të hapur rrugën gjykatësve, prokurorëve dhe autoriteteve të tjera që të kërkojnë zbulimin e tyre.

Drejtoresha e përgjithshme e Unionit Evropian të Transmetuesve, Ingrid Deltenre, tha se kjo mund të cenojë lirinë e shprehjes në Kosovë.

ështja e mirëbesimit është thelbësore për gazetarinë hulumtuese dhe lirinë e medieve”, citohet të ketë thënë ajo, duke tërhequr vëmendjen në propozimet e Këshillit të Evropës sipas të cilit, “zbulimi i burimeve të informimit duhet të kufizohet në rrethana të jashtëzakonshme, kur bëhet fjalë për interesin thelbësorë publik apo individual”.

Zonja Deltenre i ka bërë thirrje Parlamentit të Kosovës që të hartojë një kuadër ligjor të mbështetur në nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas saj, “në vend të heqjes së nenit 38 nga Kodi Penal i Kosovës, Parlamenti i Kosovës duhet të forcojë mbrojtjen e medieve duke miratuar standardet dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe praktikat më të mira të vendeve evropiane”.

Ajo nënvizon se “mbrojtja e burimeve të informimit paraqet kushtin themelore të raportimit dhe lirisë së medias, që janë një nga themelet e një shoqërie të vërtetë demokratike. Kjo është një mundësi për parlamentin e Kosovës që të dëshmojë përkushtimin e tij për një shoqëri të hapur”.

Në fillim të muajit maj, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, vendosi të rikthejë në Parlament Kodin e ri Penal të Kosovës, i cili përfshinë dy nene të diskutueshme që kanë të bëjnë me mediat.

Kodi i miratuar në Parlament më 20 prill përfshinte dy nene në të cilat thuhet veç tjerash se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Kodi kishte nxitur reagime të ashpra të shoqatave të gazetarëve në Kosovë por edhe organizatave ndërkombëtare, të cilat mbështeten rikthimin e tij për shqyrtim në Parlamentin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG