Lidhje

Pesë të dënuar nën akuzat për trafikim organesh


Në Prishtinë, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit shpalli fajtor dhe dënoi me gjithsej 20 vjet e tre muaj heqje lirie pesë persona nën akuzat për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë.

Gjykata dënoi urologun Lutfi Dervishi me tetë vjet heqje lirie dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh, Arban Dervishin, me shtatë vjet e tre muaj heqje lirie dhe një gjobë prej 2 mijë e 500 eurosh, ndërsa Sokol Hajdinin me 3 vjet, Islam Bytyqin dhe Sylejman Dullën me nga një vjet heqje lirie me kusht.
Gjykata themelore në Prishtinë

Gjykata themelore në Prishtinë


Gjykata shpalli lirimin nga të gjitha akuzat të Ilir Rrecajt, ish zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa i akuzuari i shtatë, Driton Jilta, është liruar meqë në fillim ë muajit prill, kishte pranuar fajësinë për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Prokurori i çështjes Jonathan Ratel tha se aktgjykimi i sotëm është një pjesë e rëndësishme e drejtësisë. Ai tha se elementi thelbësorë në këtë konspiracion kriminal ishte rekrutimi, transportimi, transferimi i njerëzve të lëndueshëm, të mjerë e të varfër, me qëllim përfitimi.

"Rekrutimi i këtyre personave ishte bërë me qilimin e vetëm të shfrytëzimit. Shfrytëzimi si viktima dhuruese dhe marrjes së organeve të tyre për atë qëllim. Ky trafik është bërë me premtime të rrejshme për shpërblim në para dhe në shumë raste nuk janë paguar fare", tha prokurori Ratel.

Sipas prokurorëve të EULEX-it, të akuzuarit ishin përfshirë në rekrutimin e 20 shtetasve të huaj nga Moldavia, Kazakistani, Rusia, Ukraina e Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë.

Gjatë procesit janë marrë në pyetje më shumë se 80 dëshmitarëve, në më shumë se 100 seanca gjyqësore, të cilat kanë nisur që në vitin 2011.

Aktakuza përfshinte edhe shtetasin izraelit, Moshe Harel, si kreun e e rrjetit për rekrutimin e dhuruesve dhe identifikimin e marrësve të organeve, ndërsa mjekun Yusuf Sonmez, për kryerje të operacioneve në klinikën private Medicus në Prishtinë. Por, asnjëri nuk është vënë para drejtësisë në Kosovë.
Ligjet në Kosovë ndalojnë çdo veprimtari të transplantimit të organeve nëpër klinikat private.
Avokatët mbrojtës paralajmëruan ankesë ndaj aktvendimit.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ajo nuk ka siguruar dot përkrahjen e Këshillit të Evropës dhe raportuesit të posaçëm të tij Dick Martty.

Në prill të vitit të kaluar, trupi gjykues, kishte vendosur të thërras raportuesin Marty, si dëshmitar në këtë proces. Atëbotë u tha se “Dick Marty pretendon e se ka disa informata të rëndësishme për këtë çështje, prandaj do të kërkohet që ai të tregojë se çfarë lloj të informacioneve ka dhe cilat janë burimet e këtyre informacioneve”.

Por, gjykata tha se nuk ka siguruar dot përkrahjen e Këshillit të Evropës, meqë asambleja Parlamentare e këtij këshilli kishte refuzuar kërkesën e tij.
Mbrojtja e të akuzuarve, kishte vlerësuar atëbotë se përfshirja e zotit Martty, do t’i jipet drejtim politik procesit, i cili nuk ka të bëjë me pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës.

Në fund të vitit 2010, Dick Marty ngriti pretendimet se pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, mund të ishin përfshirë në krim të organizuar dhe trafikim të organeve njerëzore gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Sipas pretendimeve të tij, kjo mund të kishte ndodhur në vendqëndrimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shqipëri.

Kosova dhe Shqipëria kanë hedhur poshtë këto pretendime, ndërsa janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për ndriçimin e tyre.

Aktualisht prokurori amerikan, Clint Williamson, është duke hetuar pretendimet e tilla që sipas tij pritet të përmbyllen vitin e ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG