Lidhje

Meta: Mundësi të mira për dialog politik në Kosovë


Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta tha të dielën në Prishtinë se ka vullnet te partitë politike në Kosovë që të nisin dialogun për tejkalimin e situatës së krijuar në vend.

Ai i bëri këto komente në përfundim të një vizite private me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli gjatë së cilës është takuar edhe me presidenten Atifete Jahjaga si dhe me shefat e partive opozitare në Kosovë.

“Qëndrimet e opozitës duket se janë pozitive dhe në interes të Kosovës ashtu sikurse mendoj se disa prej veprimeve të saj nuk i shërbejnë këtyre qëllimeve”, tha zoti Meta në një intervistë me Radiotelevizionin e Kosovës.

“Ajo që kam vënë re, është se ekziston një potencial i madh i pashfrytëzuar për dialog, për të ecur në rrugën e duhur të zgjidhjes së këtyre mosmarrëveshjeve të deritashme. Besoj se me një reflektim të të gjitha palëve, patjetër që ekziston mundësia për të zhvilluar një dialog të qëndrueshëm që i jep zgjidhje qëndrimeve që ka opozita dhe njëkohësisht ndihmon funksionimin më efikas në Kosovë”, tha zoti Meta, duke nënvizuar se “institucioni i presidentes mund të ndihmojë shumë”.

Vizita e zotit Meta, pasoi ftesën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, drejtuar udhëheqësve të opozitës për një takim më 7 dhjetor për të diskutuar rrugëdaljen nga situata aktuale e krijuar pas kundërshtimit të opozitës ndaj marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për kufirin me Malin e Zi.

Udhëheqësit e partive opozitare, thanë se duhet të anulohen marrëveshjet dhe të lirohen deputetet, pastaj të diskutohet.

Pesë deputetë të opozitës janë në paraburgim ose nën masën e arrestit shtëpiak.

Opozita kundërshton marrëveshjet dhe për më shumë se dy muaj bllokoi seancat e parlamentit. Gazi lotsjellës dhe skenat e dhunës përshkuan seancat e parlamentit, ndërsa përplasje të dhunshme pati edhe në protesta në rrugë.

Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së të mërkurës në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG