Lidhje

Bie numri i migrantëve nga Kosova?


Në mbrëmjen e së hënës, nga stacioni i autobusëve në Prishtinë për në Serbi kanë udhëtuar vetëm tre autobusë

Ndryshe nga netët tjera, në mbrëmjen e së hënës është shënuar një rënie e numrit të atyre që synojnë të largohen nga Kosova në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Mijëra qytetarë të Kosovës kanë ikur muajve të fundit në rrugë të paligjshme, duke shfrytëzuar territorin e Serbisë, lëvizja nëpër të cilin është bërë e mundur me marrëveshjet e arritura në bisedimet ndërmjet të dyja vendeve.

Ditëve të fundit autoritetet hungareze dhe ato serbe kanë shtuar patrullimet në vijën kufitare ndërmjet këtyre dy vendeve gjë që ka çuar në ndalimin e qindra qytetarëve të Kosovës.

Të hënën autoritetet serbe thanë se kanë angazhuar xhandarmërinë për të shtrënguar masat përgjatë brezit kufitar me Hungarinë.

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanovic, u ka thënë medieve serbe se “për të mbrojtur kufirin shtetëror, është shtuar edhe numri i patrullimeve të përbashkëta me policinë hungareze”.

Ai është takuar në Beograd me drejtorët e policisë së Gjermanisë, Hungarisë dhe Austrisë.

Drejtori i policisë federale gjermane, Diter Roman, citohet të ketë thënë se 99 për qind e kërkesave për strehim, do të refuzohen. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shesin pasuritë e tyre për “t’u dhënë para trafikantëve”, sepse nuk kanë asnjë mundësi të sigurojnë strehim në Gjermani.

Autoritetet serbe thanë se në Suboticë, një qytet afër kufirit me Hungarinë, deri tash janë ndaluar dhe dënuar me gjoba deri në 100 euro, 550 qytetarë nga Kosova.

Ikjet e muajve të fundit për shumëkënd janë shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës. Kjo dukuri ka shqetësuar institucionet e Kosovës, të cilat thonë se po përpiqen të zbusin shkaqet e migrimeve. Kryeministri Isa Mustafa tha se qeveria ka hartuar programe nëpër sektorë të ndryshëm për të hapur vende pune. Në përpjekje për të zbutur pakënaqësitë javën e kaluar qeveria themeloi një komision për shqyrtimin e mundësisë për faljen e detyrimeve që kanë qytetarët ndaj institucioneve shtetërore dhe ndaj ndërmarrjeve publike në Kosovë, që nga përfundimi i luftës e deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

XS
SM
MD
LG