Lidhje

Kryetarja e Gjakovës thotë se është e kërcënuar


Mimoza Kusari – Lila, kryetare e komunës së Gjakovës, thotë se ka pasur një “pazar” për ekzekutimin e saj.

Përfaqësues institucionesh e organizatash të ndryshme në Kosovë, reaguan me zemërim ndaj pohimeve se kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, është kërcënuar me jetë. Reagimet pasuan një deklaratë të zonjës Kusari – Lila se “dikush është paguar” për ta ekzekutuar atë.

Gjatë një mbledhjeje të Kuvendit të komunës së Gjakovës, duke u përgjigjur në pyetjen se përse ajo shoqërohet nga njësitë e mbrojtjes nga afër të policisë, zonja Kusari – Lila tha se kjo ndodhë meqë, “është paguar dikush që të më ekzekutoj fizikisht. Ky nuk është informacion që ka dalë prej kuluareve as prej odave, por është informacion që policia e Shqipërisë ia ka kumtuar policisë së Kosovës dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka ardhur urdhëresa për mbrojtjen time të afërt. Personi i paguar është nga Shqipëria, ndërsa fatkeqësia është se pazari dhe biseda për ekzekutimin tim është bërë në Gjakovë”, ka thënë zonja Kusari – Lila.

Policia e Kosovës, tha se “në kuadër të prokurorisë së posaçme të Kosovës, është hapur një rast i kanosjes, në bazë të hetimeve të kryera nga drejtoria për hetimin e krimeve të rënda në kuadër të policisë së Kosovës. Policia lidhur me këtë rast i ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin si dhe për ofrimin e sigurisë ndaj personalitetit në fjalë”. As zonja Kusari-Lila dhe as policia nuk kanë dhënë më shumë hollësi për motivet e mundshme apo autorët e kërcënimit.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, i shprehu mbështetjen e plotë institucionale zonjës Kusari – Lila.

Kryetarja e komunës së Gjakovës është e vetmja kryetare femër që kemi në Kosovë dhe e cila meriton një respekt dhe vëmendje me të veçantë edhe në aspektin institucional dhe tradicional. Është mirë t’u iket ligësive të cilat e dëmtojnë vendin. Është mirë secili prej neve të mendojmë, që të lejohen njerëzit që janë të zgjedhur të punojnë dhe përfundojnë mandatin se sa dikush të mendoj ta dëmtoj dikë, për arsye se mund ta dëmtoj vetveten. Edhe një herë, kryetarja e Gjakovës e ka përkrahjen e institucioneve të Kosovës, dhe në të njëjtën kohë derisa e ka mandatin duhet mos ta pengoj askush, sepse nuk është njërzillëk as burrëri, përkundrazi s’po dua të përdori fjalë tjera”, tha ai.

Gratë deputete të parlamentit të Kosovës dënuan kërcënimet ndaj zonjës Kusari-Lila. Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu - Kodra, tha se “ndjehet thellësisht e prekur me marrjen e lajmit se kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, është në shënjestër të kërcënimeve serioze për jetën e saj. Grupi i Grave deputete dënon çfarëdo forme të presionit, frikësimit apo shantazhit që tentohet të bëhet me qëllim të dekurajimit të grave që të angazhohen në poste të rëndësishme drejtuese. Grupi gjithmonë do të angazhohet fuqishëm që Kosova të jetë vend i sigurt ku sundon rendi dhe ligji”, thuhet në reagim.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehur i shqetësuar me njoftimin se Mimoza Kusari – Lila mund të jetë cak i sulmeve që cenojnë jetën dhe sigurinë e saj.

Aktet e tilla të mundshme ndaj kryetares së komunës, e zgjedhur nga votëbesimi i shumicës së qytetarëve të komunës së Gjakovës është akt i ultë dhe tërësisht i papranueshëm në Kosovën demokratike. Asociacionin i Komunave të Kosovës kërkon nga organet e rendit që të merren të gjitha masat ligjore në mënyrë që të mbrohet autoriteti i të zgjedhurve lokal në komunën e Gjakovës dhe në gjithë pushtetin lokal në Kosovë”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni.

Zonja Kusari-Lila fitoi postin e kryetares së Gjakovës, që është edhe vendlindja e saj, në zgjedhjet për pushtetit komunal të vitit 2013.

XS
SM
MD
LG