Lidhje

Kosovë: Akuzë kundër ministrit Ferid Agani


Kosovo, Ferid Agani
Kosovo, Ferid Agani

Në Kosovë, zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tha se është ngritur aktakuzë kundër 64 të pandehurve, prej tyre një ministër dhe një sekretar i përgjithshëm i një ministrie, nën dyshimet për përfshirje në keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie e marrje të ryshfetit si dhe shmangie taksash.

Në mesin e të akuzuarve është edhe ish ministri i shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, Ferid Agani, aktualisht ministër i mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Ngritja e aktakuzës pasoi hetimet e filluara që në tetor të vitit 2014 kur qenë arrestuar nëntë persona, punonjës të ministrisë së shëndetësisë dhe mjekë, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari kriminale.

Hetimet që çuan në aktakuzë ishin zhvilluar nën dyshimet se personat e përfshirë "në bashkëveprim dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private".

Sipas prokurorisë me veprimet e tilla, u janë mundësuar spitaleve private përfitime materiale, “duke u paguar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, shpenzimet për pacientët që dërgoheshin nga institucionet publike shëndetësore në këto spitale private”.

“Disa nga të pandehurit kanë marrë ryshfet nga dy klinika private. Njëri nga këto spitale nuk ka pasur fare licencë pune dhe gjithashtu edhe mjekët që kanë punuar në atë spital nuk kishin licencë për kryerjen e ndërhyrjeve mjekësore në zemër, e të cilat i kanë kryer”, thuhej në njoftimin e prokurorisë së posaçme.

Në ketë çështje penale hetimet janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik, mirëpo për 56 persona fizik, nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mirëpo, prokuroria tha se për një numër të konsiderueshëm të tyre janë identifikuar disa dyshime për veprime tjera inkriminuese për të cilat po kryhen hetime.

XS
SM
MD
LG