Lidhje

Kosovë: Paralajmërohet largimi i ministrit Jablanoviç


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, paralajmëroi largimin e ministrit për komunitete, Aleksandër Jablanoviç, i cili nxiti reagime e protesta me një deklaratë fyese ndaj shqiptarëve

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, paralajmëroi largimin nga qeveria të ministrit për kthim dhe komunitete, Aleksandër Jablanovic, i cili nxiti reagime duke i quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar.

Deklarata e tij çoi në protesta në disa qytete të Kosovës, të cilat kulmuan me protestat e javës së kaluar në Prishtinë, që lanë pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale. Ndonëse, ministri serb kërkoi falje për deklaratën e tij, opozita dhe organizatat që mbështetën protestat thanë se ajo nuk mjafton.

Kryeministri Mustafa, gjatë një vizite në komunën e Rahovecit në Kosovën perëndimore, tha se qëndrimi i mëtejmë i ministrit Jablanoviç në qeveri, nuk do t’i bënte mirë as atij vet e as marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, meqë deklaratat e tij kanë fyer qytetarët e Kosovës dhe kanë nxitur shumë reagime.

“Situata e krijuar, politizimi tej mase i problemit të ministrit Jabllanoviq, krijon kushte që ministri më tutje është vështirë ta ushtroj pozitën e tij prej ministri, për arsye se zgjatja e kësaj situate do të shprehet negativisht edhe sa i përket integrimit të popullatës serbe edhe sa i përket marrëdhënieve tona të përgjithshme që duhet t'i kemi me të gjitha komunitetet".

Kryeministri Mustafa nuk dha ndonjë afat se kur mund të ndodhin ato që ai i quajti ndryshime në qeveri dhe nëse kjo do të ndodhë para protestës së paralajmëruar për të mërkurën nga opozita. Deri tash ai ishte vënë nën trysni nga reagimet e protestat në njërën anë dhe nga droja se veprimet ndaj ministrit Jablanoviç, mund të nxisnin reagimin e subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës, që është pjesë e koalicionit qeverisës. Largimi i mundshëm i Listës serbe, do ta vinte në pozitë të vështirë qeverinë, meqë një pjesë e ligjeve të rëndësishme që pritet të miratohen në muajt në vazhdim, kërkojnë pos tjerash edhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG